Ballina Aktualitet Opinione Çka duhet të bëjë Gjermania për Europën?

Çka duhet të bëjë Gjermania për Europën?

Publicisti i famshëm britanik Timothy Garton Ash është dëshmitar i historisë bashkëkohore të Europës. 30 vjet pas bashkimit të Gjermanisë ky profesor nga Oxfordi i bën një bilanc të kaluarës dhe shikon në ardhmëri. Porosia e tij për gjermanët: më shumë guxim për të projektuar të ardhmen e Gjermanisë dhe Europës në mënyrë strategjike dhe të orientuar nga e ardhmja. Për të arritur këtë ata duhet t’i qasen rolit të tyre udhëheqës në Europë dhe t’i vënë vetes synime më të larta.

Nga Enver Robelli

1.

Nëse Timothy Garton Ash-in do ta quanim historian, atëherë kjo do të ishte e padrejtë. Ai është më shumë se kaq. Britanik e europian, mik i madh i Gjermanisë, adhurues i Europës së bashkuar, njohës i thellë i shoqërisë gjermane, publicist, orator, kolumnist, polemist, debatues. Dijetar i Europës është po ashtu. Dhe udhëtar. Me gjasë s’ka vend në Europën Lindore ku s’ka qenë Timothy Garton Ash. Ka qenë, natyrisht, edhe në Kosovë. Jo pas luftës, jo pas pavarësisë, jo në vitin 2020. Ka qenë në fund të viteve 90-të, kur Kosova ishte përgjakur nga agresioni serb. Më 15 shkurt 2007 Timothy Garton Ash botoi një koment te gazeta “Guardian”, ku rrëfente për kohën e plumbtë: ndërsa shkruaj, para meje gjendet një copë Kosovë, një gur i çmuar, dhuratë nga Ibrahim Rugova, lideri shumëvjeçar i lëvizjes paqësore për pavarësi të shqiptarëve të Kosovës dhe mineralog i pasionuar.

I kam edhe fotografitë e mia që tregojnë konfliktin e armatosur në Kosovë, përpjekjen për gjenocid, çlirimin nga fuqitë ndërkombëtare, fshatrat, xhamitë dhe kishat e bombarduara, të goditura me mitralozë dhe të plaçkitura, gjak i freskët që njolloste borën e bardhë, një druvar i grabitur i quajtur Selim Muriqi, i cili shiste cigare (“Monte Carlo”) nga një qerre, këmbët e zbathura të një viktime që nuk i kishte mbuluar thesi i kufomës. Në shkrimin e 15 shkurtit të vitit 2007 Timothy Garton Ash, ky europian i zjarrtë, nënvizonte se Kosova duhet të jetë shteti i 33-të anëtar i BE-së, e pas saj, si shtet i 34-të, mund të pranohet Serbia. Në vitin 2020 kjo tingëllon si ëndërr e harruar.

2.
Timothy Garton Ash është 65-vjeçar. Më 1978 ai si historian i ri erdhi nga Oxfordi në Berlin, pastaj banoi në Berlinin lindor. Me librin e tij “The Uses of Adversity: Essays on the Fate of Central Europe” (në gjermanisht: “Ein Jahrhundert wird abgewählt”) Garton Ash u bë njëri prej shpjeguesve më lucid të historisë dhe përditshmërisë së Europës Lindore. Këtë vepër ai e plotësoi në fund të viteve 90-të me librin tjetër: “We the People: The Revolution of ’89 Witnessed in Warsaw, Budapest,Berlin And Prague”, ku përmbledh përshtypje dhe analiza si dëshmitar i revolucioneve në vendet e Europës Lindore. Kur ra Muri i Berlinit më 1989, ai ishte ndër britanikët e paktë që e njihte shoqërinë gjermane në shumë aspekte. Aktualisht Garton Ash është profesor i historisë bashkëkohore në Oxford dhe Stanford.

3.

Në 30-vjetorin e bashkimit të Gjermanisë revista gjermane “Der Spiegel” ka zhvilluar një intervistë me Timothy Garton Ash, ku ai flet për të kaluarën si dëshmitar i zhvillimeve historike dhe si historian që nga afër e ka ndjekur procesin e integrimeve europiane, qoftë me punime shkencore apo me reportazhe e ese. Si e sheh Garton Ash Gjermaninë në 30-vjetorin e bashkimit. “Ka arsye për të festuar më 3 tetor. Kjo republikë federale e bashkuar është Gjermania më e mirë që kemi pasur ndonjëherë. Gjermania qëndron në qendër të Europës si ishull i madh i stabilitetit, liberalitetit dhe demokracisë. Edhe koha e koronës e konfirmon këtë sërish.

Por mos ta mashtrojmë veten. E dimë që 30 vitet e kaluara kanë qenë të vështira. Dhe e dimë që 30 vitet e ardhshme do të jenë shumë më të vështira”. Në mesin e sfidave Garton Ash përmend “pasojat ekonomike nga pandemia, që do të ndihen gjithkund vitin e ardhshëm, edhe në Gjermani. Pastaj vijnë ndryshimet klimatike, Kina aspiruese si superfuqi leniniste-kapitaliste do ta sifdojë fuqishëm tërë Perëndimin. Inteligjenca artificiale do të kushtojë me vende të punës në Europë”. Garton Ash pyet nëse gjenerata e lindur pas vitit 1989, e cila është rritur në një Europë paqësore dhe liberale, është e përgatitur për kohëra vërtet të vështira. Kjo gjeneratë s’mund të krahasohet me kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe me presidentin çekosllovak Valcav Havel, të cilët kanë përjetuar personalisht luftën dhe diktaturën.

4.
Në këtë intervistë Garton Ash flet edhe për një takim me kryeministren britanike Mar­ga­ret That­cher, e cila ishte skeptike ndaj bashkimit të Gjermanisë, madje kundërshtare. Por ajo kishte një talent për t’u konsultuar me shkencëtarë. Në selinë e saj në Chequers ajo ftoi historianë të njohur për t’i referuar mbi Gjermaninë. Aty ishte edhe Garton Ash, i cili, bashkë me të tjerët, e kishte bindur ose së paku e kishte shtyrë të mendojë kryeministren britanike që të mos e bllokojë bashkimin gjerman. Të tjerët ishin, për shembull, historiani Fritz Stern, i cili si fëmijë ishte detyruar të arratiset nga Gjermania naziste, dhe Hugh Tre­vor-Ro­per, oficer britanik, i cili pas luftës kishte intervistuar figurat e larta naziste.

Këta njerëz kanë pasur arsye të jenë skeptik ndaj bashkimit të Gjermanisë, por ata me këmbëngulje theksuan se nuk duhet lëshuar shansin për bashkimin e Gjermanisë në paqe dhe liri. Garton Ash e konsideron Helmut Kohlin figurë të rëndësishme historike. Pas bashkimit të Gjermanisë Garton Ash kishte takuar Kohlin në Bonn (atëbotë ende kryeqytet gjerman). Me një moment Kohl i kishte thënë Garton Ashit: “Zoti profesor, a jeni i vetëdijshëm se ju jeni ulur përballë pasardhësit direkt të Adolf Hitlerit?” Me këtë Kohl dëshironte të thoshte se është tepër i vetëdijshëm mbi përgjegjësinë e tij. Gjermania e bashkuar ishte trashëgimtare e Gjermanisë që përfundoi në rrënoja në vitin 1945.

5.
Në 30 vitet e fundit Gjermania ka pasur fat. Ajo është angazhuar për integrimet europiane jo vetëm për shkak të përgjegjësisë historike, por edhe për shkak se ka përfituar. Tregu i madh i BE-së (500 milionë njerëz) ka qenë arenë përfitimi për ndërmarrjet gjermane. Nga vendet e Europës Lindore Gjermania ka marrë qindra-mijëra punëtorë të lirë. Nga valuta e përbashkët ka përfituar para së gjithash Gjermania. Ky shtet është një elefant ekonomik, por jo edhe politik. Garton Ash e formulon kështu: do të doja që gjermanët në mënyrë më strategjike t’i qasen rolit të tyre udhëheqës në Europë, t’i vënë vetes synime më të larta.

“Dhe të kuptojnë se synimet e tilla arrihen vetëm duke bashkëpunaur të gjithë, vërtet të gjitha demokracitë, pra vendet klasike të Perëndimit si Britania e Madhe dhe SHBA-të, por edhe përtej Perëndimit klasik transatlantik”. Kancelarja Angela Merkel, e cila qeveris me pragmatizëm dhe kompetencë, nuk mund të akuzohet për atë që ka bërë – ajo i ka menaxhuar kryesisht mirë krizën e euros, krizën e refugjatëve dhe tani pandeminë. Merkel, sipas Garton Ash, ndoshta do të akuzohet për atë që nuk e ka bërë: që të ardhmen e Gjermanisë dhe Europës ta projektojë në mënyrë strategjike dhe të orientuar nga e ardhmja.