Milani vijon të konfirmojë formën e mirë jo vetëm në kampionat, por edhe në Europë, pasi mbrëmjen e sotme ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 në transfertën e vështirë skoceze përballë Celtic.
Skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli zgjidhi shpejt këtë sfidë, pasi ishte Rade Krunic që zhbllokoi sfidën në minutën e 14’, me një gjuajtje të saktë me kokë, ndërsa në të 42-ën ishte spanjolli Brahim Diaz që shënoi një gol mjaft të bukur duke dyfishuar shifrat.
Celtic u përpoq të rihapë takimin dhe e bëri këtë 415 minuta para fundit me golin e shënuar nga Elyounoussi me kokë, duke bërë që minutat e fundit të sfidës të jenë mjaft të luftuara, por në minutat shtesë ishte talenti norvegjez Hauge që shënoi golin e parë të tij me fanellën e Milanit e të tretin për kuqezinjtë duke vulosur suksesin.
Fitoi pa problem Tottenhami, që mposhti me rezultatin e pastër 3-0 austriakët e Lask Linz, në një sfidë ku startoi si titullar edhe uellsiani Gareth Bale. Braziliani Lucas zhbllokoi sfidën, ndërsa më pas ishte Andrade që shënoi një autogol, pas një topi të hedhur në zonë nga Bale.
Rezultatin për “Spurs”-at e vulosi koreano-jugori Hueng Min Son, i cili erdhi nga pankina dhe dërgoi topin për herë të tretë në rrjetë, ndërsa me këtë sukses Tottenhami merr përkohësisht kryesimin e grupit.
Edhe skuadra tjetër angleze, Leicester ia doli të marrë një fitore me rezultatin e pastër 3-0 ndaj ukrainasve të Zoryas, ndërsa sfida mes Villarealit e Sivassporit në “El Madrigal” prodhoi spektakël e plot 8 gola, me spanjollët që triumfuan me rezultatin 5-3.
Në sfidat e tjera, Braga mposhti AEK-un e Athinës me rezultatin 3-0, Dinamo e Zagrebit u ndal në barazim pa gola nga holandezët e Feyenoord, ndërsa Lille triumfoi me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën çeke ndaj Spartës së Pragës.