Doktorët e shkencave, mjekët, inxhinierët dhe studentët e shquar të kolegjeve kualifikohen për vizë
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan sot se do të japin vizën e artë 10-vjeçare për të gjithë doktorët e shkencave, mjekët, inxhinierët në fushat e inxhinierisë kompjuterike, elektronikës, programimit, energjisë elektrike dhe bioteknologjisë si dhe të diplomuarve nga universitetet e akredituara të Emirateve të Bashkuara Arabe që janë vlerësuar me notën prej 3.8 e lart, transmeton Tetova News.
Duke bërë njoftimin në faqen e tij në Twitter, Lartmadhëria e Tij Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Zëvendës President, Kryeministër dhe Sundimtar i Dubait, tha: “Vëllezër dhe motra, ne miratuam sot një vendim për të dhënë vizën e artë 10-vjeçare për personat e kategorive të mëposhtme: të gjithë doktorët e shkencave, të gjithë mjekët, inxhinierët në fushat e inxhinierisë kompjuterike, elektronikës, programimit, energjisë elektrike dhe bioteknologjisë, të diplomuarit nga universitetet e akredituara të Emirateve të Bashkuara Arabe që shënuan Mesataren e Notës, GPA, prej 3.8 e lart ”
الإخوة والأخوات..اعتمدنا اليوم منح الإقامة الذهبية للمقيمين..لمدة ١٠ سنوات للفئات التالية : جميع الحاصلين على شهادات الدكتوراة،كافة الأطباء، المهندسين في مجالات هندسة الكمبيوتر والالكترونيات والبرمجة والكهرباء والتكنولوجيا الحيوية،متفوقي الجامعات المعتمدة بالدولة بمعدل 3.8 وأكثر
— HH Sheikh Mohammed (@HHShkMohd) November 15, 2020
Viza e artë do t’u jepet gjithashtu mbajtësve të gradave të specializuara në inteligjencën artificiale, për big data, epidemiologji dhe virologji.
“Ky është një hapi i parë dhe do të pasohet nga kategori të tjera. Ne duam që njerëz të talentuar dhe mendje të shkëlqyeshme të qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të bashkohen me ne në procesin e zhvillimit dhe arritjeve, “shkroi Sheik Mohammed në Twitter.
Vendimi, i cili u miratua nga Kabineti i Emirateve të Bashkuara Arabe, synon të tërheqë dhe mbajë ekspertë dhe profesionistë të talentuar nga fusha të ndryshme dhe disiplina shkencore. Ndryshimet do të ndodhin duke filluar nga 1 dhjetori, 2020./TetovaNews