Ballina Aktualitet Kultura JERONIM DE RADA – KATALIZATOR I NDËRGJEGJES KOMBËTARE

JERONIM DE RADA – KATALIZATOR I NDËRGJEGJES KOMBËTARE

Xhelal Zejneli

Jeronim de Rada (1814-1903) është shkrimtari më i mirënjohur i letërsisë arbëreshe. Ai është edhe figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit XIX. Është bir i një prifti ortodoks në Maq (Macchia Albanese) që shtrihet në malet e krahinës së Kozencës. Lindi më 29 nëntor 1814. Ndoqi Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër. I mbrujtur me dashuri të zjarrtë për prejardhjen e tij shqiptare, që në rini nisi të mbledhë lëndë folklorike. Në tetor të vitit 1834, duke përmbushur dëshirën e të atit, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Napolit, por interesimet e tij kryesore mbetën folklori dhe letërsia. Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të mirënjohur shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin “Poezi shqiptare të shekullit XV. Këngët e Milosaos, bir i despotit të Shkodrës” (Poesie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, Figlio del despota di Scutari). Për shkak të një epidemie kolere që pllakosi Napolin u detyrua të braktisë studimet dhe të kthehet në shtëpi në Kalabri.

Vepra e tij e dytë, “Këngë historike shqiptare të Serfaina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini”, Napoli 1839 (Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del principe Nicola Ducagino) nuk u la të qarkullojë nga autoritetet Burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë Risorxhimentos italiane. Kjo vepër u ribotua me titullin Këngët e Serfaina Topisë, princeshës së Zadrimës në shekullin XV, Napoli 1843, (Canti di Serafina Thopia, principessa di Zadrina nel secolo XV). Kjo vepër u ribotua edhe në një variant të tretë me titullin Pasqyrë e jetës njerëzore, jeta e Serafina Topisë, princeshë e Dukagjinit, Napoli 18897 (Specchio di umano transito, vita di Serafina Thopia, Principessa di Ducagino).

De Rada ka shkruar edhe një tragjedi historike italisht “I Numidi”, Napoli 1846 (Numidët). Kjo tragjedi u ripunua gjysmë shekulli më vonë me titullin “Sofonisba, dramma storico”, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike). Kjo dramë e tij nuk pati jehonë të gjerë publike.

Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), në të cilën përfshihen artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, një “giornale politico, morale, letterario”, me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe që është botuar ndokund.

Emri i De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mtiko, (1820-1890), Zef Jubani (1818-1880), Sami Frashëri (1850-1904), shkrimtarja rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria (Elena Gjika, 1828-1888), si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), baronesha austriake Jozefinë fon Knorr (Josephine von Knorr, 1827-1908) dhe gjuhëtari austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900). De Rada pati edhe inkurajimin e poetit romantik francez Alfons de Lamartin (Alphonse de Lamartine, 1790-1869), i cili qëndroi për një kohë në Iskia. Adhurim për Këngët e Milosaos ka shprehur edhe poeti provansal Frederik Mistral (Frederick Mistral, 1830-1914), romani i të cilit në vargje Mireio (1859) jo rastësisht ka afërsi me veprën e De Radës. Që më 1856, vargje të De Radës ishin përkthyer në gjermanishte nga Hajnrih Kristof Gotlib Shtir (Heynrich Cristoph Gottlieb Stier).

I shkurajuar nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthyer në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna. Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash. Në një çast dëshpërimi, asgjëson gjithë atë përmbledhje këngësh popullore që i kishte mbledhur me aq dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italishte: “Parimet e estetikës”, Napoli 1861 (Principii di estetika), “Lashtësia e kombit shqiptar dhe afria e tij me grekët e latines”, Napoli 1854 (Antichita della nazione albanese e sua affinita con gli Elleni e Latini), “Rapsodi nga një poemë shqiptare të mbledhura në ngulimet e krahinës së Napolit”, Firencë 1866 (Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano), “Skenderbeu i pafat” (Scanderbeccu i pa-faan) në katër botime, Koriliano Kalabro 1872, 1873, Napoli 1877, 1884 dhe “Sa liri e mirëqenie ka në shtetin me përfaqësues”, Napoli 1882 (Quanto di liberta ed ottimo vivere sia vello stato rapresentattivo).

Më 1883 De Rada themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiamri Arbërit” (La bandiera dell’Albania). Ky periodik, i botuar në fillim në Maq e më pas në Kozencë ‘nga një komitet fisnikësh nga Shqipëria dhe ngulimet e saj’, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe, me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.

Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Dy vjet më vonë mori pjesë aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro). Aty bëri thirrje për të ngritur një katedër të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napoli. Në këto vite të fundit të jetës ai botoi veprën “Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe”, Koriliano Kalabro 1894 (Caratteri e grammatical della lingua albanese) mbi bazën e leksioneve të mbajtura në Kolegjin e Shën Adrianit. Pas dy vitesh botoi librin “Antologji shqipe e përkthyer besnikërisht në gjuhën italiane”, Napoli 1896 (Antologija Albanese tradotta fedelmente in italiano), ku përfshihen poezi të zgjedhura të poetit arbëresh Jul Variboba (1724-1788), të shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) etj. dhe një autobiografi në katër vëllime të titulluar “Autobiologjia”, Kozencë 1898, Napoli 1899. Pak para se  të vdiste, botoi edhe një “Testamento politico”, përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në “La Nazione Albanese” më 30 shtator 1902.

I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare.

Para se të bëhej entitet politik, Shqipëria në veprat e De Radës, ishte bërë realitet poetik. Përfytyrimi i një Shqipërie të pavarur tek ai në gjysmën e dytë të shekullit XIX, nga një dëshirë e thjeshtë erdhi dhe u kthye në një objektiv politik realist, për të cilin ai u angazhua në mënyrë të zjarrtë. De Rada qe lajmëtari dhe zëri i parë i dëgjueshëm i lëvizjes romantike në letërsinë shqiptare, lëvizje e cila, e frymëzuar nga energjitë e tij të pashtershme në emër të zgjimit kombëtar ndër shqiptarët e Italisë dhe në Ballkan, do të zhvillohej në një romantizëm kombëtar, karakteristikë për periudhën e Rilindjes në Shqipëri. Veprimtaria e tij publicistike, letrare dhe politike ishte mjet, jo vetëm për të zhvilluar vetëdijen e bashkësisë arbëreshe në Itali, por edhe për të hedhur themelet e një letërsie kombëtare shqiptare.

“Këngët e Milosaos”  – Më e njohura ndër veprat e tij letrare është poema liriko-epike ”Këngët e Milosaos”, baladë e gjatë romantike që pasqyron dashurinë e Milosaos, një personazh i trilluar, djalosh fisnik në Shkodrën e shekullit XV, i cili është kthyer në shtëpi nga Selaniku. Ngjarjet fillojmë më 1405 dhe mbarojmë më 1423 në Shkodër. Këtu te burimi i fshatit, ai takon Rinën, vajzën e bareshës Kollogre dhe bie në dashuri me të. Pas martesës jashtë vendit u lind një foshnje. Por periudha e lumturisë martesore nuk zgjat shumë. I biri dhe e shoqja e Milosaos vdesin pas pak kohe, kurse ai vetë, i plagosur në betejë kundër turqve, jep shpirt në një breg lumi pranë Shkodrës. Në poemë shkrihen natyrshëm ndjenja e dashurisë dhe detyra patriotike për të mbrojtur atdheun. Me një fjalë, motivi i dashurisë shkrihet natyrshëm me motivin patriotik.

Poema është botuar në tri variante të ndryshme më 1836, 1847 dhe 1873. Këtë përmbledhje baladash lirike me frymëzim të fuqishëm romantik autori e ndryshonte, e përmirësonte dhe e zgjeronte, duke e kthyer nga një poemë me njëzet këngë në një vepër me 39 këngë. Kjo poemë me elemente lirike dhe narrative shquhet për figuracionin elegant, për ndjeshmërinë e hollë dhe për koncizitetin e dukshëm.

Poeti francez Alfons De Lamartin (Alphonse-Marie Prat de Lamartine, 1790-1869), pasi lexoi “Milosaon” i shkroi De Radës: “Poezia ka lindur ndër brigjet e vendit tuaj dhe atje duhet të rikthehet”.  Ismail Kadareja (1936-) për “Milosaon” thotë: “…është poemë për dashurinë dhe lumturinë, për iluzionet dhe humbjet, për dritat dhe hijet, për riprodhimin njerëzor, për vazhdueshmërinë e jetës, me një fjalë poemë për vitalitetin dhe pavdekësinë e një populli”.

Edhe poema epiko-lirike “Serafina Topia” na kthen prapa te bota romantike e mjegullt e Shqipërisë së mesit të shekullit XV. Vepra letrare e tretë e De Radës në shqip është poema Skënderbeu i pafat (Scanderbeccu i pa-faan), që ai e konsideroi si kryeveprën e tij. Në të mbizotëron epizmi dhe heroizmi masiv. Edhe kjo seri baladash romantike doli në një radhë botimesh të ndryshme që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të poetit në kohë të ndryshme. Në vija të trasha, kjo vepër mbulon historinë e bëmave të para të Skënderbeut nga viti 1418 deri më 1444.

De Rada mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit XIX.  Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore dhe krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri që ende vuante nën zgjedhën osmane.

Literatura për De Radën poet, linguist, estet, eseist, folklorist dhe publicist është relativisht e gjerë. Me veprën dhe jetën e tij janë marrë studiuesi dhe folkloristi arbëresh Mikel Markiano (1860—1921) më 1902, N. Dagllas (Douglas) më 1930, Vitorio Gualtieri më 1930, Gjyzepe Gradilone më 1960, Jup Kastrati më 1962,  studiuesi Ruberto më 1966, albanologu Zef Valentini (Guiseppe Valentini, 1900-1979) më 1964, Ernest Koliqi (1903-1975) më 1972, Rexhep Qosja (1936-) më 1984 e të tjerë. Për stilin poetik të De Radës kanë bërë studime të veçanta poeti, gjuhëtari dhe kritiku letrar Arshi Pipa (Shkodër, 1920-Uashington, 11997) më 1969, gjuhëtarja dhe albanologia ruse Agna Desnickaja (1912-1992) më 1985, Klara Kodra më 1988, poeti i sotëm arbëresh Françesko Altimari (1955-) më 1991, kritiku dhe poeti Sabri Hamiti (1950-)                                                                                                                                                                                                             më 1993, studiuesi Emin Kabashi (1949-) më 1994. Për De Radën kanë dhënë mendime edhe studiues të tjerë si albanologu britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986). Me De Radën, romantizmi shqiptar arrin të zhvillohet paralelisht me romantizmin evropian.

Me rastin e marrjes së çmimit “Jeronim de Rada” më 15 nëntor 2014, për De Radën Kadareja thotë “…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews