Familjarët njoftuan që ka ndërruar jetë mëngjesin e së hënës doajeni i mirënjohur i muzikës shqipe, këngëtari gostivaras, Izmit Salihu, transmeton Gostivari Sot
I ndjeri ishte ndër anëtarët e parë dhe më të vjetër të Shoqërisë Kulturore Artistike “Besa”, nga Gostivari, të cilët i solli edhe shumë mirënjohje dhe çmime si brenda trojeve shqiptare ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.
“Moj Mysibe”, ishte kënga me të cilën u prezantua në vitin 1977 në Radio Televizionin e Prishtinës – RTP, duke prezantuar këtë shoqëri.
Krijimtaria e tij muzikore vlerësohet si një thesar të mirëfilltë në muzikën shqipe. Tingujt e këngës së mirëfilltë shqipe dhe hapat e këngëtarit Salihu, nëpër Gostivarin e bukur e historik, përcjellin emocione jo vetëm te adhuruesit e zhanrit popullor. Kënga e Salihut është tejet e rëndësishme dhe në shërbim të pasurimit të vlerave të muzikës së mirëfilltë shqiptare.