Andrea Pirlo, trajneri i Juventusit, pas ndeshjes kundër Ferencvaros foli për problemet që shfaqi skuadra e tij kundër hungarezëve, sikurse edhe për lojtarë të veçantë. Bardhezinjtë ishin të lexueshëm në lojën e tyre dhe ia lehtësuan ekipit të Myrto Uzunit të mbrohej, gjë që vetë Pirlo e pranon.
NDESHJA – “Duhet ta kishim nisur ndryshe, por e dimë që ka vështirësi në ndeshje që duken të lehta në letër. ishim shumë sipërfaqësor në fillim. Presioni ynë i parë nuk ishte i fortë, çka është normale pas kaq shumë ndeshjesh. Intensiteti bie, por gjëja më e rëndësishme ishte të mos zgjateshim dhe të mos lejonim kundërsulmet. Na ndodhi disa herë në pjesën e parë, por më pas u vendosëm mirë në fushë.
Prisja më shumë nga lojtarët, por Ferencvaros bëri shumë presing dhe duhet ta lëviznim topin para dhe mbrapa shpejt, për të krijuar hapësira. e lëvizëm shumë ngadalë topin dhe ua bëmë të lehtë që të mbroheshin. Ferencavaros qëndroi lart dhe na ftonte t’i sulmonim, por kjo duhej bërë në momentin e duhur. kur e bëmë këtë ishim thuajse gjithmonë të rrezikshëm”.
DYBALA DHE DE LIGT – Në lidhje me mbrojtësin dhe sulmuesin, trajneri tha: “Dybala nuk bëri aq mirë, por siç e thashë, ai ka qenë i dëmtuar dhe për javë të tëra ka marrë antibiotikë. Është normale që t’i duhet kohë të kthehet në formë. Ai ka nevojë të kalojë limitet e tij në stërvitje, për të rigjetur formën maksimale. Matthijs? E dimë që De Ligt ka qenë kapiten që 20 vjeç dhe po prisnim rikthimin e tij. Gjithashtu e dinim se do të na jepte shumë në mbrojtje”.
KRITIKAT PËR ARTHUR – Braziliani i marrë nga Barcelona u kritikua nga Fabio Capello në studiot e Sky Sport Italia, për pasimet e shkurtra, horizontale dhe të ngadalta. Në lidhje me të, Pirlo shtoi: “U tregua pak ‘kokëderr’ duke e mbajtur topin dhe duke tentuar ta pasonte direkt në thellësi, kur duhet të përpiqej të luante anash që të shpërhapte mbrojtjen e Ferencvaros. Duhet ta kishte hapur lojën më shumë, që të krijoheshin situata një kundër një. Nëse topi lëviz ngadalë, kjo e lejon kundërshtarin të kthehet në pozicionin e vet. Artur nuk ka mjaftueshëm vizion për momentin, por po mëson”. /abcnews.al