Për herë të parë, që kur u shkarkua në mënyrë jokushtetutare nga posti i Reisul ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi pranon të flasë dhe të rrëfejë para një trupi vullnetarësh të emëruar Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetushmërisë së BFI-së. Biseda është zhvilluar në drejtim të shpalosjes së parregullsive dhe shkeljeve kushtetutare që nga shkarkimi i tij e deri në përpjekjet për ta rizgjedhur “reisin e ri”
Shkup, 15 nëntor 2020 – Sot, Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetushmërisë së Bashkësisë Fetare Islame në RMV, organizoi një takim me Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhpi, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe shumë të frytshme për sa i përket shfaqjes së problemeve në këtë Institucion dhe mënyrën e tejkalimit të tyre, gjithnjë në funksion të ruajtjes së unitetit të muslimanëve të vendit si dhe të autoritetit dhe integritetit të vetë Institucionit.
Takimi kishte për qëllim të hidhet dritë mbi fillet e problemeve, mbi shkaqet dhe shkaktarët e problemeve si dhe të ofrohen modalitete se si të zgjidhen ato pa e cënuar kushtetushmërinë e Institucionit si dhe të të gjitha akteve të tjera normative të tij.
Biseda u zhvillua mbi metodologjinë e pyetjeve të shtruara nga anëtarët e Këshillit dhe përgjigjeve të dhëna nga H. Sulejman ef. Rexhepi.
Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, për hirë të ruajtjes së kushtetushmërisë së BFI-së pranoi që për herë të parë të flasë që kur u shkarkua në mënyrë jo të ligjshme dhe me metoda puçiste, gjithnjë sipas tij.
“Vetë fakti që Shaqir Fetai i jep vetes të drejtë dhe kompetenca joligjore që të emërojë kordinatorët në myfti, do të thotë që ai, as kur ngriti iniciativë për të më shkarkuar, nuk ka pasur kuorum, i cili tani i duhet për ta zgjedhur për reis”, u shpreh efendi Rexhepi që në fillim të bisdës, për të vazhduar pastaj e për të zbardhur një fakt shumë interesant, sa autokritik aq edhe objektiv. “Le të supozojmë se unë paskam shkelur Nenin 58 të Kushtetuutës së BFI-së dhe për këtë më shkarkuan!
Po ai Nen nuk është se mund të shkilet për një ditë apo për një orë, shkelja e atij neni duhet të jetë në kontinuitet dhe për vite të tëra! Po këta që më “shkarkuan” a nuk ishin bashkëpunëtorë të mi të ngushtë? Unë gjithnjë kam vepruar sipas vendimeve dhe qëndrimeve të shumicës së Rijasetit ku kanë aderuar edhe këta puçistë të padiskutueshëm. Në të gjitha veprimet e mia kam pasur përkrahjen e tyre, kam pasur përurimet dhe përgëzimet e tyre, kam pasur duartrokitje prej tyre, kam pasur lavdërata e gatishmëri që të vetëflijohen për mua, në të mirë të interesit të përgjithshëm dhe të Institucionit tonë në veçanti. Si u bë që, brenda ditës, brenda një paradite të “vetëdiijësohen” disa vegla të shërbimeve të huaja, të tubohen në Gostivar dhe të më shkarkojnë sipas këtij Neni! Ata të gjithë kanë qenë krahu im i djathtë, në çdo veprim.
Të shkarkohem unë sipas atij neni kurse këta të bëhen gati për të ma zënë postin, vështirë se do t’ju shkojë për dore”, shprehet H. Sulejman ef. Rexhepi.
Në pyetjen tonë se pse dy ditë më vonë do të ofrojë edhe vetë dorëheqje, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi do të shprehet se, këtë hap e ndërmori pas konsultave me persona mjaft të rëndësishëm të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti të cilëve u shpjegova se të gjithë mund të përfundojnë në burg për shkak të falsifikimit të atij “dokumenti” sipas të cilit gjoja më shkarkuan. Këta përfaqësues të Partisë më lutën që të ndërmarr diçka dhe ta bëj këtë gjë “fat të kryer”, meqë ndodhemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe, pasi të fitojë BDI-ja do ta marrë në dorë situatën e Bashkësisë Fetare Islame dhe se do të më rehatojnë edhe mua!
Tani, nga ky takim i sotshëm, unë kërkoj publikisht që BDI-ja të ndërhyjë dhe ta pengojë këtë krim që po kryehet mbi Kushtutën e BFI-së dhe mbi vetë Institucionin e myslimanëve të vendit. BDI-ja duhet ta ketë shumë të qartë se kjo çfarë po ndodhë për momentin brenda BFI-së është yndyrë e shërbimeve të huaja, në veçanti të shërbimeve ruso-serbe. Nuk mundet që shkelësit e Nenit 58 të më akuzojnë vetëm mua ndërsa vetë të bëjnë karrierë. Këtë karrierë ata mund ta bëjnë vetëm me lejen e BDI-së dhe më përkrahjen e shërbimeve intelegjente të huaja”, nënvizon efendi Rexhepi.
Po ashtu, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi apeloi te të gjithë myslimanët e vendit që ta pengojnë këtë masakër që po ushtrohet mbi Kushtetuën e BFI-së, ta pengojnë Shaqir Fetain dhe shokët e tij (Qani Nesimi, Qenan Ismaili, Shaban Sulejmani, Abedin Imeri etj.) që t’ua imponojnë porositë e shërbimeve të huaja duke ua caktuar për myftinj kuadrot të cilët as nuk kanë qenë të propozuar nga mexhlisi i xhemateve, as nga myftinitë dhe as të emëruar nga Rijaseti. Nuk mundet që njerëzit e shantazhuar të shndërrohen në “makinë votimi”, sepse ata nuk përfaqsojnë asnjë xhemat, asnjë organ, asjë titull. Gjithësesi që tërë kjo lojë do të paditet dhe do të bllokohet nga organet e drejtësisë, sepse, pushteti aktual e ka shumë të vështirë që ta marrë mbi vete barrën e shndërrimit të BFI-në në një Institucion në duart e bashibuzukëve”, thotë efendi Rexhepi.
Në pyetjen se sa janë kredibilë personat aktualë që petendojnë të bëhen reisë, efendi Rexhepi nënvizon se i tërë procesi është jokredibil, antikushtetues dhe shumë i rrezikshëm, i cili do të krijojë praktika që turlifarë krimineli, kur të ketë dëshirë e motive të dyshimta, të ngrisë iniciativë për t’u bërë “Reisul Ulema”! “Këta persona, si e para, kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë dhe përkrahës me shpirt të personit që “paska shkelur Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së”. Këta persona janë akuzuar si hajna, si antiislamistë e si antikombëtarë. Këta persona, fillimisht duhet që t’i demantojnë këto akuza, të demantojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të mi të cilëve u kam dhënë murasele dhe që më kanë përkrahur në “shkeljen e Nenit 58”! Pastaj, që të gjithë e dinë se këtyre personave u kam bërë revizion financiar dhe, saktësisht e dimë se sa kanë vjedhur dhe çka kanë bërë me paratë e myslimanëve.
Nuk mundet që të më akuzojnë mua, të më shkarkojnë dhe me këtë të “pastrohen” nga unë duke hedhur kandidatura të veta për të ma rrëmbyer postin! Raportet nga ai revizion financiar i kam unë dhe, që të gjitha do të publikohen, një për një! Këta persona, nuk e plotësojnë kushtin kryesor – nuk dinë të lexojnë gjuhën e Kuranit e as ta flasin këtë gjuhë! Ky do të ishte një hendikep shumë i madh për perspektivën e Instiituconit tonë, sepse, shumica e marrëveshjeve preferohen të bëhen jo në prezencë të shoqëruesve e përkthyesve, por direkt në gjuhën e Kuranit”, thotë H. Sulejman ef. Rexhepi.
“Kushtetuta e BFI-së nënvizon në mënyrë shumë precize se kush mund të japë interpretim autentik të Kushtetutës, me këtë Kushtetutë është i paraparë Prokurori i BFI-së, është Komisioni Disiplinor! Të gjitha këta organe anashkalohen, vijnë deri te “shkarkimi im”, sipas porosive të shërbimeve policore, kurse unë për hirë të interesit kombëtar, sepse këtë ma kërkoi vetë BDI-ja, pranova të viktimizohem dhe, në fund, na del se synimi paska qenë që ky Institucion të kalojë e të jetë nën kontroll të plotë të politikave të huaja, që nuk shprehin kurrfarë interesi, as fetar e as kombëtar! Nëse e tolerojnë këtë gjë myslimanët e vendit, me këtë kemi vulosur fundin e perspektivës sonë të lumtur.
Edhe ndërkombëtarët duhet ta dinë këtë lojë të ndytë, sepse vetëm Një Zot e di se ç’mund të bëjnë shërbimet e huaja në emër të Institucionit tonë! Tani, ja ku jemi, teologët e vendit kanë ngritur këtë Këshill dhe unë ju përgëzoj dhe ju përkah në këtë qëllim shumë fisnik dhe islam, që ka të bëjë me mbrojtjen e kushtetushmërisë së BFI-së. Ju priftë e mbara dhe paçit ndihmën dhe bekimin e të Madhi Zot”, përfundon Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, në takimin informativ të organzuar nga Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetushmërisë së BFI-së, themeluar nga një numër i konsiderueshëm imamësh e teologësh të vendit, të cilët insistojnë që të shpalosen të gjitha problemet, të debatohet e të diskutohet me të gjithë aktorët dhe faktorët që mund të kontribuojnë në tejkalin e kësaj situate me tendencë për t’u përshkallëzuar deri në atë nivel ku të gjithë do të dalim të turpëruar e të dëmtuar.
Ne, si Këshill, kemi nënvizuar që në fillim se transparenca e veprimit tonë do të jetë moto kryesore dhe se, do të bëjmë përpjekje që të bashkëbisedojmë edhe me palët e tjera si brenda BFI-së ashtu edhe me subjektet politike e me intelektuallë të ndryshëm, të vendit e ndërkombëtarë, me qëllim që të arrijmë deri te një situatë e denjë për një Institucion fetar islam.
Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetushmërisë së BFI në RMV:
Shaban Azri – kordinator
Eset Shaqiri – zv/kordinator
Mirdi Brao – zv/kordinator