Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri në numrin e infeksioneve dhe pacientëve në spitale me COVID-19.
Të premten u regjistruan më shumë se 170,000 infeksione të reja, sipas statistikave të grumbulluara nga Universiteti Johns Hopkins. Kjo shifër shënon një rritje me 20,000 raste të reja krahasuar me të enjten, ndërkohë që është thyer edhe rekordi i testeve të zhvilluara duke arritur në 1.7 milionë teste.
Deri tani SHBA ka në total më shumë se 10.7 milionë të infektuar, duke kryesuar në botë si vendi me numrin më të lartë të infektimeve. Amerika kryeson edhe nga numri i viktimave, me mbi 244,000 të vdekur nga sëmundja. Vetëm në 24 orët e fundit u shënuan 1,300 viktima të reja.
Po sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, numri i pacientëve me COVID në spitale ka arritur në 69,000 vetë, ose 2,000 më shumë se një ditë më parë.
Rritja e ritmeve të infeksioneve në Shtetet e Bashkuara është ushqyer nga rëndimi i situatës veçanërisht në Kaliforni, në shtetet qendrore dhe veriore, megjithëse situata është duke u keqësuar në pjesën dërrmuese të vendit.
Kalifornia dhe Teksasi kanë tani secili mbi një milion të diagnostikuar me koronavirus.
Përhapje shqetësuese e infeksionit është regjistruar edhe në Ilinoi, Uiskonsin, Miçigan dhe Minesota.
Presidenti Trump përshëndeti përparimin drejt prodhimit të një vaksine, kur foli të premten për gazetarët, gjashtë ditë pasi media shpalli fitues të pritshëm të zgjedhjeve rivalin e tij demokrat, Joe Biden.
Në Evropë, ku rimet e infeksionit kanë shënuar rritje të dukshme, një numër vendesh po vënë në zbatim masa të reja kufizuese. Të shtunën Polonia njoftoi 550 viktima të reja nga COVID-19. Kjo shifër rekord e çon totalin e të vdekurve nga kjo sëmundje në këtë vend në mbi 10,000 vetë. Ukraina konfirmoi një numër rekord prej 12,524 mijë rastesh të reja në 24 orët e fundit.
Meksika po arrin shifrën e një milion infeksioneve, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Italia është tani vendi i dhjetë në botë që kaloi këtë javë pragun e 1 milion infeksioneve. India dhe Brazili pasojnë Shtetet e Bashkuara nga përhapja e infeksionit; India me më shumë se 8.7 milionë raste dhe Brazili me më shumë se 5.8 milionë. Franca po i afrohet shifrës së 2 milionë rasteve, pasuar nga Rusia me 1.88 milionë. Spanja, Britania, Argjentina dhe Kolumbia janë ndër dhjetë vendet me më shumë se 1 milion infeksione.
Deri tani numri i të diagnostikuarve me koronavirus ka arritur në shkallë globale në mbi 53 milionë e 492 mijë vetë ndërsa janë regjistruar mbi 1 milionë e 303 mijë të vdekur nga COVID-19.
Të premten kompania teknologjike Microsoft tha se hakerë shtetërorë rusë e koreano-veriorë janë përpjekur gjatë muajve të fundit të vjedhin të dhëna nga kompanitë farmaceutike dhe studiuesit që përpiqen të gjejnë përgjigje ndaj COVID-19./VOA