Klubi i Partizanit është në zi! Së fundmi mësohet se është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare ish-mesfushori i Partizanit Sabri Balla.
Ka qenë vetë klubi i Partizanit që ka bërë një postimi, ku njofton ndarjen nga jeta të Sabri Ballës.
Ndërkohë që nuk mungojnë mesazhet e shumta të ngushëllimit edhe në rrjetet sociale nga dashamirësit e 16 herë kampionëve të vendit.
Postimi i Partizanit:
Ndahet nga jeta-ish futbollisti i Partizanit Sabri Balla. Siç na bëjnë me dije miq dhe bashkëpunëtorë të faqes sonë, është ndarë sot nga jeta në moshën 54-vjeçare, ish-futbollisti i talentuar i Partizanit, i sezoneve 1984-85/1985-86, Sabri Balla, Bikja. Ai se fundmi vuante nga diabeti. Një lajm shume i keq për gjithë dashamirët e Partizanit.
Bikja, i datëlindjes 1966, ka dalë si lojtar nga akademia e Partizanit. Në sezonin 1984-85, ai bëhet pjesë e Partizanit, ku si 18-vjeçar u fut në formacion bazë. Ishte një mesfushor i palodhur, i fuqishëm dhe inteligjent, që luajti një sezon mjaft të mirë, kur u thirr edhe në ekipin Shpresa, ku një vit më vonë mbajti edhe shiritin e kapitenit të ekipit kadet kombëtar në ballafaqimin në Berat ndaj Greqisë.
Ndërkohë që ka qenë edhe lojtar titullar fiks i ekipit kombëtar të 18-vjeçarëve dhe shumë herë kapiten i saj, në një ekip ku ishin edhe 2 lojtarë të tjerë të Partizanit, si Niko Frashëri apo Edi Kacaci. Ai ishte pjese e ekipit të Partizanit finalist i Kupës së Shqipërisë më 1985, krahas emrave të spikatur të ekipit si Hysi, Musta, Lame, Ocelli, Gega, Hametaj, Kushta, Eksarko, Agalliu, Duro etj.
Edhe në sezonin 1985-86 ishte në ekip, ndërkohë që sezonin pasardhës e la futbollin për arsye dëmtimi të parikuperueshëm. Ngushëllime familjes dhe të afërmve. I paharruar kujtimi dhe vitet e bukura të Bikes me fanellën e Partizanit.