Në traditën e fisit Berisha kënga dhe vallja kanë luajtur rol të rëndësishëm. Më të merituarit në kultivimin e kësaj tradite janë: valltari Isen Berisha dhe rapsodi Qamil Berisha, të cilët përmes veprimtarisë së mirëfilltë artistike kanë lënë gjurmë të thella në një hapësirë më të gjerë etno-kulturore.
Qamili është rritur jo vetëm me këngën dhe melosin e pastër folklorik, por edhe me dashurinë për artin në përgjithësi. Këtë dashuri e ka trashëguar nga babai i tij i cili ka kënduar jo vetëm sade, por herë-herë i shoqëruar edhe me kavalle. Të mbledhur nëpër manifestime të ndryshme, ahengje, festa familjare, ndeje apo tubime miqësore me rastin e therjes së “gulakut”, babai i Qamilit është shfaqur para të pranishmëve jo vetëm si interpretues i mirëfilltë, por edhe si rrëfyes muhabetesh, meselesh dhe historish të ndryshme me karakter serioz e humoristik.
I ndikuar nga talenti atëror, Qamili e ka përvetësuar shumë shpejt artin e të luajturit në prim, pastaj në çifteli, ndërkaq më vonë edhe në sharki. Bile të freskëta i ka ruajtur gjithmonë kujtimet kur e ka shoqëruar babanë në interpretimin e këngëve: “Hajde, hajde moj Dudi”, “Knjaz Nikolla”, “Ali Pasha, pashë i vogël” etj.
Edukimi i tij muzikor ka vazhduar edhe gjatë moshës rinore, atëherë kur përmes valëve të Radio Prishtinës i ka dëgjuar me ëndje këngët e Halil Cervadikut, Bajrush Dodës, etj., si “Boll e mir’ moj kablosh kuqe” dhe “Gjith’ ditën si shot’ moj çikë”. Dëshira për t’i interpretuar në mënyrë sa më origjinale këngët më të qarkulluara të asaj kohe, e kanë detyruar që të ushtrojë me orë të tëra.
I ka dëgjuar me vesh të përqendruar të gjitha këngët, qofshin ato lirike apo epiko-historike, pastaj baladat legjendare. I ka pëlqyer, para së gjithash, interpretimi burimor, origjinal.
Në periudhën e fundit të viteve të gjashtëdhjeta ka qenë i frymëzuar tej mase nga rapsodët Hashim Shala dhe i madhi Qamili i Vogël këngën e të cilit “Ku po knojn k’ta dy kumria” e kujtonte me shumë respekt si një vlerë të përjetshme të trashëgimisë sonë shpirtërore. Me shumë mall i kujtonte edhe meloditë e Dervish Shaqës të dëgjuara përmes valëve të Radio Tiranës, nga të cilat e dallonte këngën “Kaçanik deri n”Boletin”, si dhe interpretimin e mrekullueshëm dhe mjaft specifik të Tom Nikollës në këngën e famshme nga epika historike – “Halit Gashi”.
Në moshën 20 vjeçare, kur veç më kishte mësuar shumëçka nga folklori muzikor, si interpretues i primit kishte vënë kontakte bashkëpunimi me Xhemal Kryeziun (sharki) dhe Ismail Lumën (violinë).
Në fillim të viteve të shtatëdhjeta ka bashkëpunuar edhe me Hasan Kamberin (violinë), Rexhep Kamberin (gjymbysh) dhe Sevdi Malsinë (sharki).
Aktivitetet e Qamil Berishës gjatë asaj periudhe kanë qenë të ngjeshura. Ai është njohur për së afërmi me rrjedhat e dasmave, me adetet, ritet, doket. Në anën tjetër është ballafaquar edhe me ndërhyrjet e pajustifikueshme në traditën e dasmës shqiptare përmes devijimeve të ndryshme. Ai ka vepruar në kohën e “çingeneve”, një fenomen që la njollë të zezë në trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve të kësaj ane. Kur Qamil Berisha me shumë artistë shqiptarë nga Tetova e rrethina po mundohej që përmes këngëve epike, historike, lirike, përmes baladave popullore e heroike të transmetonte ndjenjën e atdhedashurisë, të besnikërisë, të trimërisë, të mirëkuptimit, të dashurisë e të tolerancës, dikush mundohej që ta degradojë dinjitetin kombëtar dhe pasurinë kulturore e shpirtërore, ashtu siç ndodh edhe në ditët tona përmes turli krijimesh që të ngatërrojnë edhe zorrët.
Aktivitetet e tij nuk janë kufizuar vetëm nëpër ahengje e manifestime familjare; ai gjatë tërë kohës ka qenë aktiv edhe nëpër festivale (“Këngë Jeho” – Strugë, “Sharri këndon” – Tetovë etj.), pastaj ka marrë pjesë në emisione televizive (TVM2, Alsat etj.), ka realizuar incizime të ndryshme nga të cilat po përmendim albumet: “Hasan Fazlia”, “Sellca e moçme”, “Molla Sula”, etj. Një pjesë të konsiderueshme të kohës e ka harxhuar edhe në ShKA “Xheladin Zeqiri” ku shumëkush e kujton me respekt të veçantë, para së gjithash për interpretimin e shkëlqyer të këngëve: “Prej Podrimje po vjen haberi” dhe “Isuf Xhelili”.
Qamil Berisha kishte zë të ëmbël, të ngrohtë, një timbër rapsodik që ndjehej si në këngët epiko-historike ashtu edhe në ato lirike.
Kontributi i Qamil Berishës si artist amator në kultivimin e këngës folklorike është mjaft i çmuar. Ai, së bashku me kolegë të tjerë të folklorit, ka gjallëruar jetën rapsodike jo vetëm në Pollog, por edhe më gjerë.
Bekim Ramadani, etnomuzikolog