Popullsia e Shteteve të Bashkuara pati rritjen më të vogël në të paktën 120 vjet, gjatë periudhës 2019 – 2020, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Byroja e Censusit të Shteteve të Bashkuara – një tendencë kjo që demografët thonë se paraqet një nga pasojat e dëmshme të pandemisë së koronavirusit.
Rritja e popullsisë në Shtetet e Bashkuara kishte qenë statike gjatë disa viteve të fundit për shkak të kufizimeve ndaj emigracionit dhe një rënieje të lindshmërisë. Megjithatë, vdekjet e lidhura me koronavirusin e përkeqësuan tendencën letargjike të rritjes së popullsisë, thotë William Frey, ekspert në Programin e Politikave Metropolitane të Institutit Brookings.
“Mendoj se është një pamje paraprake e drejtimit që po marrim për sa i përket rritjes së ulët të popullsisë”, tha zoti Frey. “Është tregues se kjo po ndikon tek popullsia”.
Popullsia amerikane u rrit me 0.35% nga korriku 2019 deri në korrik 2020, një rritje me 1.1 milion në një komb me popullsi që u vlerësua të ishte në muajin korrik në 329 milionë banorë, sipas vlerësimeve të Byrosë së Censusit.
Një analizë e zotit Frey tregon se kjo është rritja më e vogël për këtë shekull, dhe se gjithashtu është më e vogël se rritjet vjetore përgjatë shekullit të kaluar. Në kulmin e pandemisë së gripit spanjoll, rritja e popullsisë gjatë periudhës 1918 – 1919 ishte 0.49% – megjithëse ushtarakët amerikanë ndodheshin jashtë vendit duke marrë pjesë në luftimet e Luftës së Parë Botërore.
Rajonet e verilindjes dhe mesperëndimit amerikan kishin rënie të vogla të popullsisë nga viti 2019 në vitin 2020, ndërsa rajonet jugore dhe ato perëndimore patën një rritje të vogël.
Ndër shtetet amerikane, Aidaho pati rritjen më të madhe gjatë një viti, duke e shtuar me 2.1% popullsinë e tij, tashmë e gjendur në nivelin prej 1.8 milionë banorësh. Ky shtet pasohet nga Arizona, e cila u rrit me 1.8%, Nevada me 1.5%, Jutah me 1.4%, si dhe Teksasi me rritje 1.3%.
Gjashtëmbëdhjetë shtete amerikane humbën popullsi, ndër ta edhe Kalifornia, shteti më i populluar amerikan, popullsia e të cilit ra me 0.18%, në nivelin e tanishëm prej 39.3 milionë banorësh.
Nju Jorku, epiqendra e pandemisë në pranverë, pati rënien më të madhe, duke humbur përafërsisht 126 mijë banorë, ose 0.65%. Ky shtet ka filluar të humbasë banorë që në vitin 2016, por rënia nga 2019 në 2020 ishte shumë më e madhe se në vitet e kaluara.
Nju Jorku pasohet nga Illinoi, me një rënie prej 0.63%, Hauaji me rënie 0.61%, Virxhinia Perëndimore me 0.58% dhe Misisipi me rënie 0.38%.
Vlerësimet e publikuara të martën u zhvilluan në mënyrë të pavarur nga censusi 2020, i cili numëron popullsinë e pranishme në Shtetet e Bashkuara. Shifrat e censusit 2020 janë ende duke u studiuar.(VOA)