Ndërsa vendet njeri pas tjetrit kanë filluar fushatën e vaksinimit, duke zhvilluar një garë kundër koronavirusit, një vend mjaft i papritur duket se po udhëheq në këtë “garë”: Izraeli .
Deri në fundjavë, vendi pritet të ketë vaksinuar më shumë se 10% të popullsisë së tij , prej rreth nëntë milion, ose të paktën një në dhjetë banorë.
Një përqindje më e madhe se çdo vend tjetër në botë. Bahreini, një vend arab i Gjirit me një popullsi prej rreth 1.5 milion ka vaksinuar rreth 3% të popullsisë së tij.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar se vendi i tij do të jetë i pari që do të mposhtë pandeminë nëse qytetarët bashkëpunojnë.
Të parët që janë vaksinuar kanë qenë personat mbi 60 vjeç, personeli shëndetësor dhe grupet e rrezikuara më tepër nga Covid.
Vendi ka nënshkruar marrëveshje me Pfizer dhe Moderna për disa miliona doza më shumë në fillim të vitit 2021. Mjekët ushtarakë po ndihmojnë në operacionin e vaksinimit dhe qeveria izraelite ka filluar një fushatë të madhe kundër dezinformatave.
Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë tashmë ka berë thirrje për të ndaluar llogaritë e katër grupeve anti-vaksinave në rrjetin social Facebook.
Qytetarët po vaksinohen më tepër për shkak të “pasaportës së gjelbër”,një dokument që do të lejojë njerëzit që tregojnë se janë të vaksinuar të darkojnë lirshëm në restorante, të udhëtojnë dhe të përjashtohen nga kufizimet e karantinës.
Sidoqoftë, ky motivim ka pasur reagime të shumta, pasi ende nuk ka prova se kushdo që është vaksinuar nuk është më i rrezikuar nga Covid-19.
Fushata ambicioze e vaksinimit e qeverisë izraelite është mbështetur gjerësisht edhe politikisht, sipas gazetës britanike, pasi Netanyahu po përballet me sfidën e zgjedhjeve më 23 mars, për të rikthyer vendin e tij në normalitet deri atëherë.
Që nga nisja e pandemisë, ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me CEO e Pfizer, Alberto Bourla , duke e telefonuar atë madje në orën dy pas mesnatës, në mënyrë që të siguronte doza e vaksinës në kohë për Izraelin.
Nga ana tjetër, Izraeli është në mes të një “bllokimi” të tretë kombëtar, diçka që ka zhgënjyer shumë qytetarë. Në të njëjtën kohë, ekziston problemi i miliona palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Gaza të cilët nuk janë përfshirë ende në programin e vaksinimit.
Ka pasur pretendime që Izraeli është diskriminues, duke shkelur detyrimet morale, humanitare dhe ligjore, pasi izraelitët që jetojnë në territoret palestineze po vaksinohen rregullisht. Palestinezët shpresojnë të sigurojnë disa vaksina përmes iniciativës ndërkombëtare COVAX që është nën udhëheqjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kreu i zyrës së OBSH-së në Jeruzalem, Gerald Rockenshaub, tha se vaksinat e para në territoret palestineze do të shpërndaheshin në mesin e vitit 2021.
Vonesa në vaksinimin e palestinezëve, megjithatë, mund të ketë një ndikim negativ te Izraeli, pasi si ai ashtu edhe vendbanimet izraelite në territoret palestineze kanë të punësuar mijëra palestinezë. Vaksinimi i vonuar mund të pengojë arritjen e imunitetit të tufës.