Ballina Top Lajm Sot një javë!

Sot një javë!

Muaz H. Agushi

Të nderuar familjarë, miq, kolegë dhe dashamirë
Me rastin e v d e k j e s së babait tonë H. Haki ef. Agushi, në emër të gjithë familjes Agushi dua t’ju falënderoj dhe shpreh mirënjohjen tonë të thellë të gjithë juve që këto ditë të vështira për ne na keni qëndruar pranë duke na ngushëlluar dhe telefonuar vazhdimisht për të ndarë dhimbjen bashkë me ne!

P.S.

Biografia e babait tonë
Haki ef. AGUSHI (1949 – 2020)

Haki Agushi është lindur më 7 mars 1949 në fshatin Jazhincë të Tetovës. Shkollën fillore katër vjeçare e kreu në vendlindje. Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare fillon mësimet te hoxha i njohur Rafiz ef. Hoxha në fshatin Rahçe të Shkupit. Për gjashtë vite sa qëndroi pranë Rafiz efendiut, ai e përvetësoi leximin e Kur’anit famëlart, gjuhën arabe, mësoi lëndët e fikhut, akaidit, sires si dhe historinë islame. Më pas vazhdoi në Medresenë e Shejh Salih el-Farfurit në Damask të Sirisë, të cilën e mbaroi në vitin 1975. Në të njëjtin vit u regjistrua në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin e Al-Azharit në Kajro, të cilin e përfundoi në vitin 1979.

Një vit pas kthimit nga studimet, pra nga viti 1980, ai angazhohet si vaiz dhe hatib për shtatë vjet me radhë në xhaminë e fshatit Tearcë, ku edhe ishin vendosur që nga viti 1969, ndërsa në të njëjtën kohë ai punoi edhe si mualim për dy vjet në Xhaminë e “Tabhanes” dhe pesë vjet të tjera në Xhaminë e “Eskit” në Tetovë. Më pas emërohet si imam, hatib, vaiz dhe, për një kohë të caktuar, edhe mualim në fshatin Tearcë ku vazhdon ta kryej këtë detyrë me nder dhe përkushtim deri në pensionimin e tij më 12.01.2018.

Gjatë gjithë kësaj periudhe mbi katërdhjetë vjeçare, ai ka qenë aktiv në zhvillimin e jetës fetare në kuadër të Bashkësisë Islame në Maqedoni, edhe atë: në muajin e parë të hapjes së SHMI “Medreseja Isa Beu” në Shkup, ai u angazhua si edukator; 10 vjet ka qenë kryetar i Shoqatës së Ulemave në Myftininë e Tetovës, tri mandate anëtar i Myftinisë së Tetovës, si dhe dy mandate (2009-2017) kryetar i Kuvendit të BFI-së, ku ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e unitetit të BFI-së, e në veçanti gjatë trazirave që ndodhën në këtë institucion në vitin 2015. Gjatë vitit 2005, bashkë me ish myftiun e Dibrës, të ndjerin Ruzhdi ef. Lata dhe ish myftiun e Kumanovës, Isa ef. Ismaili, emërohen si udhëheqës që do ta drejtojnë BFI-në përkohësisht deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ka dhënë kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave morale, sociale, kulturore e kombëtare në vend.

Haki ef. Agushi ndërroi jetë më 06 dhjetor 2020, në moshën 71 vjeçare.