Më 2 dhjetor kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi në profilin e saj në Facebook njoftoi qytetarët se ka filluar pastrimi i shtratit të lumit Shkumbin në pjesën nga ura e bulevardit industrial deri tek rruga magjistrale Shkup – Gostivar. Për këtë pastrim në bazë të prokurimeve publike të shpallur me 14 tetor, Komuna e Tetovës ka ndarë mbi 2 milion denarë. Ndërsa realizues i punës u zgjodh Kompania “Mikeli beton” nga fshati Poroj. Në bazë të kësaj kontrate një orë punë e një kamioni dhe eskavatori ka kushtuar 3100 denarë në orë.
“Komuna e Tetovës për këtë pjesë të Lumit Shkumbin dhe një pjesë të fshatit Poroj ka harxhuar 2 milionë denarë por pamjet flasin se ky vend është përplot me mbeturina, ndjekim pamjet”.
Shtrati i lumit në këtë pjesë është pastruar ndërsa përreth ka përplot mbeturina të cilat si duket nuk janë prekur aspak.
Pyetëm Komunën e Tetovës përsëri pse nuk janë pastruar mbeturinat. Nga atje në një përgjigje me shkrim thonë se ai vend pastrohet disa herë , ndërsa qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin mbeturina dhe për këtë kanë angazhuar inspektoratin komunal.
“Në pjesën e lumit afër urës dhe lagjes Memet Pashë Deralla, shërbimet komunale kryejnë pastrim të rregullt të shtratit të lumit por qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin mbeturina.
Pastrimi i fundit ka ndodhur para disa ditësh ku kishte edhe rritje të nivelit të ujit të lumit, por hedhja e mbeturinave ndodh gjatë orëve të natës. Inspektorati komunal kryen kontroll të rregullt dhe në qoftë se zihen personat që hedhin mbeturina, do të dënohen me dënime nga 50 deri në 200 euro”. Thonë nga Komuna e Tetovës.
Në shkurt të vitit 2020 nga Komuna e Tetovës për mbeturinat në këtë pjesë të lumit na thanë se janë paraparë mjete për ndërtimin e kësaj pjese të shtratit të Lumit Shkumbin. Por që nga atëherë deri më tani kjo pjesë e lumit më shumë i ngjan një deponie.