Me ardhjen e mërgimtarëve është përkeqësuar ndjeshëm gjendja me komunikacionin në Tetovë, komuna e Tetovës nga viti 2013 deri në fund të vitit 2020 vazhdimisht ka premtuar zgjidhjen e këtij problemi. Portalb.mk ju sjell disa nga projektet që (nuk) janë bërë në drejtimin e përmirësimit të situatës me komunikacionin në Tetovë, përkundër asaj se të njëjtat janë premtuar, shkruanPortalb.mk.
1. Komunikacioni në kaos?
Fillimi i vitit 2020 në Tetovë nisi mbrapsht sa i përket komunikacionit. Gazetari i Portalb.mk udhëtoi nga Universiteti i Tetovës (UT) deri në Sheshin “Iliria” që bën rreth dy kilometra e gjysmë, dhe e verifikoi informatën se për të arritur deri në qendër të qytetit nevojiten rreth 20 minuta, duke mos e llogaritur kohën e gjetjes së vendparkimit, që paraqet problem në vete.
Në këtë drejtim, përveç hapjes së bulevardit në rrugën industriale nuk është ndërmarrë asgjë tjetër. Gjegjësisht, aktualisht komunikacioni në Tetovë është jashtëzakonisht i rrënuar, kjo për shkak të ardhjes së mërgimtarëve dhe mos krijimit të kushteve për trafik të rregullt.
2. Ende nuk janë siguruar autobusët
Rreth 3 javë më herët u nënshkrua marrëveshja për furnizim të Tetovës me pesë autobusë për transport publik, këta autobusë pritet që të arrijnë në Tetovë pas dy javësh, në të kundërtën, kryetari i këshillit komunal Bekim Memeti, për Portalb tha se “do të pasojnë dënime për kompaninë”.
Ndërkaq, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“, ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar.
3. Bulevardi “Blagoja Toska” nuk është hapur
Një prej projekteve e cila cilësohet si kryesore për lehtësimin e komunikacionit në Tetovë është padyshim hapja e bulevardit “Blagoja Toska”. Deri tani, edhe pse Qeveria e RMV-së ka lëshuar vazhdimisht mjete financiare për këtë, ky projekt nuk është finalizuar, madje as nuk kanë filluar punët.
Arsyetimi i kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për mos hapjen ende të këtij bulevardi është se po zgjat procedura e eksproprijimit të pronave të cilat duhet të rrëzohen. Megjithatë, nga kjo komunë premtuan hapjen e këtij bulevardi, të paktën deri te shkolla e mesme tekstile, deri në fund të këtij mandati.
4. Bulevardi i Ilindenit ende nuk ka mbaruar
Edhe pse kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi vazhdimisht ka premtuar hapjen e këtij bulevardi, herën e fundit këtë e premtoi në debatin e Portalb.mk në bashkëpunim me gazetaren Jeta Xharra, ky bulevard ende nuk është hapur.
5. Nuk është zgjeruar parkimi zonal
Në debatin për Portalb.mk në bashkëpunim me Kallxo.com, kryetarja e komunës së Tetovës, për të lehtësuar komunikacionin në Tetovë tha se do të zgjeroje parkimin zonal, edhe atë deri te ëmbëltorja taxi, kjo nuk ka ndodhur. Madje, qytetarët ndërmarrjes “Parkingjet e Qytetit” ende nuk ja kanë pa hajrin, për kundërazi, kjo ndërmarrje vazhdimisht punon në humbje dhe merr kredi nga paratë e qytetarëve për të mbuluar borxhet.
Premtimi i fundit i kryetares Arifi për zgjerimin e parkimit zonal është në fillim të këtij viti, gjegjësisht me datë 7 janar.
“Tendenca jonë do të jetë që të vazhdojmë të krijojmë vende tjera për parkim dhe të zgjerojmë parkimin zonal” tha Teuta Arifi, me datë 7 janar.
6. Nuk janë ndërtuar parkingje nëntokësore, as në kate
Edhe premtimi për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore dhe në kate i kryetares së komunës së Tetovës tashmë i mbush 7 vite. Megjithatë, hera e fundit kur kryetarja premtoi këtë ishte në debatin “Debat për nime” për Portalb.mk dhe Kallxo.com.Atëherë, Arifi tha se dop të ndërtohen garazhe në bllokun urban 32 dhe 1 garazh në kate në bllokun urban 99”.
Rikujtojmë se në buxhetin e vitit 2021 janë ndarë gjithsej 50 milion denarë, me këto dhe me mjete tjera të siguruara nga komuna e Tetovës synohet të ndërtohet një parking me kate pas “Tivoli”. Asgje nuk është ndërmarrë deri tani për këtë.
7. Si pasojë, trotuaret e Shkollave Fillore përdoren për parkingje
Portalb.mk gjatë këtij viti ka informuar për gjendjen jo të sigurtë të trotuareve në të gjitha shkollat fillore në Tetovë, deri tani, vetëm në shkollën fillore “Istikball” janë vendosur bllokada të cilat parandalojnë parkimin e veturave në trotuare, edhe atë, menjëherë pas lajmit të Portalb.mk.
Nga komuna e Tetovës premtuan që në ditët e para të vitit 2021 do të zgjidhin këtë problem, gjegjësisht do të vendosin bllokada të tilla në trotuaret e të gjitha shkollave tjera fillore në vend.
Ndryshe, aktualisht komunikacioni në Tetovë është në gjendje jo të mirë. Për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, është shtuar edhe numri i veturave në trafik ndërsa kushte që ata të lëvizin lirshëm nuk ka. Kjo për shkak të mos hapjes së bulevardeve kryesore të cilat do të lehtësonin ndjeshëm komunikacionin dhe mos pasjen e parkingjeve të mjaftueshme.