Ballina Sport “Ma zhdukni këtë lojtar, mos ta shoh më në fushë!”, tërbohet presidenti...

“Ma zhdukni këtë lojtar, mos ta shoh më në fushë!”, tërbohet presidenti turk

Erzurum BB nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në takimin shtëpiak ndaj Kayserispor. Ish-ekipi ku u aktivizua Armando Sadiku deri disa ditë më parë, po lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit turk.

Marokeni Aatif Chahechouhe i dhuroi avantazhin ekipit vendas në pjesën e parë (28′), por Erzurum mbeti me dhjetë lojtarë gjashtë minuta më vonë pas ndëshkimit me të kuq të Yaw Ackah.

Mesfushori ganez mori dy kartonë të verdhë brenda një minute dhe la ekipin me një lojtar më pak. Veprimi i 21-vjeçarit afrikan ka tërbuar presidentin Ömer Düzgün, i cili nuk u përmbajt pas ndeshjes.

“Një futbollist mund të gabojë, por Ackah, të cilin e kemi marrë në huazim nga Kayserispor, kreu një performancë të dobët sot. Nuk dua ta shoh më në fushë këtë lojtar.

Ti kryen një faull, nuk pranon ndëshkimin me karton të verdhë dhe largohesh menjëherë me të kuq pas protestave“, deklaroi bosi i klubit turk.

Klubi ka pezulluar Ackah dhe tenton të anulojë akordin e huazimit me Kayserispor deri në fund të sezonit. “Shkallimi” i lojtarit në ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij ka krijuar dyshime të mëdha tek Erzurum. /abcnews.al