Një ngjarje e hidhur ka prekur sot bluzat e bardha. Mjeku otorinolaringolog në rrethin e Skraparit, Muharrem Nonaj ka ndërruar jetë ditën e sotme nga Covid-19. Lajmin për ndarjen e mjekut nga jeta është bërë publik nga Shoqata Shqiptare e ORL-së. Në njoftim bëhet me dije se Nonaj i shërbeu pacientëve në rrethin e Skraparit për me shumë se 45 vite duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat.
“Dr. Muharremi i cili shërbeu deri ditën e fundit nuk mundi ta fitonte betejën me Covid-19. Ai shërbeu ne rrethin e Skraparit për më shumë se 45 vjet si mjek otorinolaringolog duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat në këtë specialitet.
Vitet e fundit për shkak të largimit të shume specialistëve nga rrethi i Skraparit Dr. Muharremi ka zgjidhur edhe shumë probleme të specialiteteve të tjera. Zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj pacientëve e kanë bërë Dr. Muharremin nje figurë te dashur dhe të respektuar për të gjithë rrethin e Skaraparit, qytetin e Poliçanit dhe atë të Beratit. I shprehim ngushëllimet e thella familjarëve dhe lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe”, thuhet në njoftim.