Të gjitha riparimet në autobusët e Durmo Tours janë kryer në servisin e stacionit, ku për secilin automjet ka pasur fletore. Përgjegjësi i garazhit të servisit ishte Remzi Miftari, por, ai nuk ka mundur ta dijë se çfarë ka një automjet nëse atë nuk e ka raportuar shoferi. Çdo shofer profesionist, ka qenë i detyruar të kontrollojë automjetin para udhëtimit, tha i akuzuari i parë Durmish Beluli, në seancën e sotme për rastin e Llaskarës, transmeton Portalb.mk.
Gjatë mbrojtjes së tij, pronari i “Durmo Tours” Beluli tha se ai nuk ka kontribuar në asnjë mënyrë në aksident dhe se nuk ndihet fajtor.
“Më vjen keq dhe ndjej trishtim për atë që ndodhi. Çfarëdo që të ndodhë me ne, ajo nuk i kthen viktimat. Unë i bëj thirrje pjesëmarrësit të vetëm në aksident – shoferit Manuel Trifunovski të thotë se çfarë ka ndodhur. Pa marrë parasyshë se kush do të përgjigjet, le ta thotë. Vetëm ai e di të vërtetën, të tjerat janë supozime”, tha Beluli.
Ai theksoi se stacioni për kontroll teknik ka funksionuar njësoj si të gjithë të tjerët, se kishte dy linja, një për pasagjerët dhe një për autobusët, dhe në të punonin 15 persona, mes të cilëve persona profesionistë, kontrollorët dhe inxhinierët mekanikë.
“Në asnjë rast nuk kam ushtruar presion, ose kontrolluesit të ishin ndikuar nga dikush për të futur informacione të pasakta”, tha Beluli, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai kishte ndikuar tek personat teknikë dhe profesionalë gjatë kontrollit teknik.
Në mbrojtjen e tij, Beluli tha se kurrë nuk ishte kursyer në pjesë, vaj ose ndonjë gjë tjetër në Durmo Tours.
Lidhur me akuzën për manipuluesin e shpejtësisë, Beluli tha se nuk e dinte fare që kishte manipulues në autobus dhe se nga kjo Durmo ka vetëm dëm.
“Nga ajo, Durmo Tours mund të ketë vetëm dëm, ndërsa përfitim vetëm shoferi. Sapo e e mora vesh, kuptova se nga ajo Durmo Tours kishte vetëm dëm, nga amortizimi më i shpejtë i gomave, konsumi i karburantit dhe pjesë të tjera”, tha Beluli.
Seanca e radhës është caktuar për më 20 prill.
Procesin gjyqësorë e udhëheqë gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski.
Për aksidentin që ndodhi në afërsi të fshatit Llaskarcë, më 13 shkurt të vitit 2019, në të cilin vdiqën 16 persona, ndërsa 37 u plagosën rëndë, akuzohen gjashtë persona.
Pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, përgjegjësi për transport Ramzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoel Trifunovski ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale.