Strukturat e perceptueshme të pafundësisë së universit, janë çuditërisht shumë të krahasueshme me rrjetet e neuroneve të trurit njerëzor, thonë së fundmi studiuesit.
Një astrofizikant i Universitetit të Bologna dhe një neurokirurg i Universitetit të Verona në Itali, thonë se universi është shumë i ngjashëm me trurin.
Dy shkencëtarët italianë kanë gjetur një përshtatje thuajse magjike në teorinë e tyre të trurit-galaktikë, duke thënë se sipas perceptimit aktual të ndërtimit të universit, forma e tij nuk mund të jetë diçka tjetër, përveçse shumë e ngjashme me rrjetet e neuroneve të trurit njerëzor.
Franco Vazza i Universitetit të Bologna dhe neurokirurgu Alberto Feletti kanë dokumentuar ngjashmëritë e jashtëzakonshme mes rrjetit të galaktikave kozmike dhe neuroneve të trurit, në një studim të detajuar të publikuar në revistën Frontiers in Physics. Ata tregojnë se “truri i njeriut ka 27 rende të ndara në shkallë të ndryshme, ashtu si rrjeti i pafund i kozmosit që ndahet në kategori të ndryshme kompleksiteti dhe vetë-organizimi”.
Truri i njeriut përmban rreth 69 miliardë neurone, ndërsa universi përbëhet nga të paktën 100 miliardë galaktika, të lidhura fort me njëra-tjetrën, si një rrjetë e ngjeshur e pandashme. Akoma më intrigues është fakti se si galaktikat ashtu dhe neuronet e trurit, përbëjnë rreth 30 përqind të masës totale, si në rastin e universit ashtu dhe të trurit.
Gjithashtu, si galaktikat dhe neuronet organizojnë veten e tyre në formë e ‘perlave në fill’.
Duke u nisur nga tiparet e përbashkëta të dy sistemeve, dy studiuesit ekzaminuan rrjetet e galaktikave, në krahasim me seksionet e korteksit cerebrtal dhe të cerebelum-it të trurit njerëzor. Qëllimi i tyre ishte të analizonin shpërndarjen e lëndës ne to.
Në rastin e galaktikave, 70 për qind e masës së mbetur, llogaritet si “energji e errët”. Të dy studiuesit thanë se në rastin e trurit të njeriut, 70 përqindëshi i mbetur është ujë.
“Ne llogaritëm dendësinë e të dy sistemeve,” tha Vazza në deklaratën e tij për eksperimentin. “Kjo është një teknikë që përdoret dhe në kozmologji për të studiuar shpërndarjen hapësinore të galaktikave. Analizat tona treguan se shpërndarja e luhatjeve në rrjetin e neuroneve në cerebellum, vjen në të njëjtin rend progresiv si shpërndarja e lëndës në shtresën kozmike”, tha ai, duke shtuar: “Por sigurisht, në një shkallë më të madhe që arrin nga 5 milionë deri ne 500 milionë vite dritë”.
Studiuesit thonë se interesi i tyre vjen prej ngjashmërisë së çuditshme të ndërlidhjeve që dalin nga secila nyje.
“Parametrat strukturorë kanë identifikuar përputhje të çuditshme,” shton kolegu i tij Feletti. “Ndoshta lidhjet mes dy sistemeve vijnë nga parime të ngjashme fizike, edhe pse ka diferenca të dukshme në forcat fizike sipas të cilave funksionojnë galaktikat nga njëra anë dhe neuronet në tjetrën”.
Grupi parashikon që kërkimet e tyre të sjellin procedura të reja analize për avancimin e njohurive si në kozmologji ashtu dhe në neurokirurgji. Kjo do të bënte që shkencëtarët të kuptojnë më mirë sesi këto përbërie janë zhvilluar me kalimin e kohës. /Themindunleashed, përgatiti; Andi Lamko