Ballina Aktualitet Dështimi për zgjedhjen e presidentit – gjithçka që ndodhi në seancën e...

Dështimi për zgjedhjen e presidentit – gjithçka që ndodhi në seancën e jashtëzakonshme

Megjithëse 82 deputetë ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, ne kutinë e votimit gjatë dy herave sa u votua në raundin e parë ishin vetëm nga 78 e 79 vota, gjë e cila pamundësoi zgjedhjen Presidentit të vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar pas orës 23:00 se seanca për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë dhe do të vazhdojë nesër, prej orës 17:00. Deputetët të cilët ishin në sallë por nuk kontribuan për të bërë kuorumin për zgjedhjen e presidentit ishin Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, e cila në raundin e parë nuk mori pjesë në votim, tash në përsëritjen e raundit të parë ajo votoi. Për habinë e të gjithëve, në këtë seancë mori pjesë deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj e cila përkundër vendimit të partisë së asnjëri nga deputetët të mos merrte pjesë në seancë, ajo u pa aty.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se në këtë formë siç është duke u votuar në Kuvendin e Kosovës, nuk është konsumuar raundi i parë i votimit dhe kjo sipas tij mund të vazhdojë deri më datë 5 maj. Hasani u shpreh se nëse deri me 5 maj nuk zgjidhet presidenti, atëherë nuk do të ketë as kush t’i shpallë zgjedhjet pasi nuk ka ushtrues detyre të Presidentit të vendit.

Në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet. I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Vjosa Osmani sot nuk po zgjedhjet presidente, por sipas tij atë po e emëron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në këtë pozitë për të pasur kontroll absolut mbi institucione të rëndësishme.

Ndryshe, për postin e presidentit kandidojnë: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pa pjesëmarrje në votim të të gjithë deputetëve të LDK-së, Vetëvendosje do ta ketë të pamundur të zgjedhë presidentin e Kosovës.

LVV ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. PDK ka 19 deputetë dhe AAK ka tetë deputetë; Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

https://youtu.be/vSBQPhv6GEc

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër.

Lista Serbe nuk është deklaruar./Telegrafi.

https://youtu.be/9CL-EjKN2Eo