Michael Jordan ka thënë dikur, “Unë kam dështuar vazhdimisht në jetën time, dhe kjo është arsyeja pse kam qenë i suksesshëm.” Në Mbretërinë e Bashkuar, 672,890 kompani të reja u themeluan në 2018, ndërsa një studim zbuloi se pothuajse 60% e startup-eve të këtij shteti falimentuan në pesë vitet e para të tyre.
Arsyet e falimentimit mund të jenë të ndryshme, nga planifikimi i dobët te problemet e marzhit të vetëfinancimit, etj. Më shumë biznese falimentojnë sesa kanë sukses, por ky nuk është gjithmonë një tregues i suksesit në të ardhmen.
Dështimi është një përvojë me të cilën mund të ndeshemi gjatë jetës sonë. Në botën e sipërmarrjes, falimentimi shpesh mund të shihet si demoralizues, dhe kjo mund t’ju bëjë të doni të ktheheni përsëri në sigurinë e një pune me orar fiks, nëntë me pesë, të cilën mund ta keni bërë edhe më parë. Sidoqoftë, nëse do ta trajtojmë përvojën e falimentimit në mënyrën e duhur, ai mund të shndërrohet në një mjet të fuqishëm të të mësuarit për ne që të arrijmë suksesin e dëshiruar.
Nëse do ta trajtojmë qasjen tonë ndaj falimentimit duke përdorur metoden “e tre A-ve” (e pranimit, analizimit dhe përshtatjes), kjo mund të na ndihmojë të rritemi dhe zhvillojmë bizneset tona në ndërmarrje fitimprurëse. Nëse mendoni se biznesi juaj nuk po funksionon, zbatoni hapat e mëposhtëm:
Pranojeni kur diçka nuk po funksionon ashtu siç duhet
Fakti i pranimit se diçka nuk po funksionon ashtu siç duhet është shumë i rëndësishëm. Ju nuk doni të ndiqni një rrugë pa krye, e cila t’ju marrë kohën dhe paratë tuaja. Sapo të kuptoni dhe pranoni që ideja apo ëndrra juaj nuk po funksionon, duhet guxim të hiqni dorë.
Analizoni se ku gabuat
Një nga këshillat kryesore është që të mos përfshiheni emocinalisht dhe të jeni sa më objektivë. Përdorni logjikën. Analizoni biznesin tuaj dhe përpiquni të zbuloni pse falimentoi. Fillimet në çdo fushë mund të krahasohen njësoj si fëmijët tanë; ne investojmë aq shumë emocionalisht dhe mendërisht në ta, saqë ndonjëherë është e vështirë të kemi një mendim objektiv. Shumë drejtues me përvojë kanë shpenzuar kohë dhe energji duke u përpjekur të zhvillojnë ide të cunguara për shkak se nuk janë treguar objektivë.
Përshtatuni për të ardhmen
Tani që keni vlerësuar pse keni falimentuar, kërkoni mënyra se si mund të shmangni përsëritjen e të njëjtës gjë. Siç u citua edhe më sipër, tregohuni sa më objektivë dhe përqendrohuni te faktet. Mundohuni dhe merruni me problemet kryesore dhe përqendrohuni në mënyrën se si të shmangni përsëritjen e të njëjtave gabime.
Ose mund të riformuloni ose ndryshoni idenë origjinale, duke e zhvilluar atë në diçka që mund të ketë një rezultat pozitiv, ose nëse vini re se ideja juaj është plot me të meta,atëherë këshillohet që të ktheheni përsëri në fazën përgatitore dhe t’ia nisni edhe një herë nga e para. Në disa raste, ky i fundit mund të jetë vendimi më i duhur. / Forbes