Ballina Aktualitet Krahu i djathtë i Kurtit takon Metën, Ruçin e Bashën: Shqipëria, qëndrim...

Krahu i djathtë i Kurtit takon Metën, Ruçin e Bashën: Shqipëria, qëndrim unik në dialogun Serbi-Kosovë

Vizitën e tij zyrtare në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e filloi me një kërkesë drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në takimin e zhvilluar me këtë të fundit.

“Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës duhet të fuqizohet e zgjerohet akoma më shumë në linjën e bashkëpunimit midis dy shteteve të një kombi.

Ndihma e Shqipërisë për Kosovën është e rëndësishme në kushtet aktuale, sidomos për përballimin e dy sfidave të mëdha me të cilat po përballet Kosova: dialogu i vështirë me Serbinë, i cili duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i japë fund konfliktit të gjatë, ende të pambyllur; dhe përballimi i akuzave të padrejta ndaj ish drejtuesve të lartë të Kosovës, krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe homologu i tij kosovar Glauk Konjufca përcollën një qëndrim të përbashkët se UÇK dhe Kosova ishin dhe janë në anën e drejtë dhe të duhur të historisë dhe se koha punon për të drejtën, për Kosovën.

Në takimin me Presidentin e Republikës u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, ecurinë e proceseve integruese drejt Bashkimit Europian, si dhe rreth zhvillimeve në rajon.

Presidenti Meta u shpreh se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe theksoi domosdoshmërinë, që marrëveshjet e arritura deri më tani mos të mbesin vetëm në letër.

“Është e rëndësishme, që të gjitha forcat politike të Kosovës, të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, tha Meta.

Ndërsa në takimin me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca tha:

“Fati i shteteve tona është i përbashkët meqenëse ne jemi një komb dhe më erdhi mirë kur i dëgjova qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Shqipërisë për sfidat të cilat e presin Kosovën në të ardhmen. Në veçanti prekëm dialogun me Serbinë në të cilën Kosova po përballet me qëllimet e Serbisë, të cilat rezultatin përfundimtar synojnë ta kenë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një entiteti territorial Serb brenda Kosovës të kontrolluar nga Beogradi duke e hapur edhe planin e Athisarit…”Dukë përshëndetur qëndrimin e Bashës në këtë drejtim, Konjufca nënvizoi: “Me zëra të ndarë, të fragmentuar, me qëndrime kundërthënëse, të cilat na kanë ndodhur ndonjëherë në të kaluarën, kemi përjetuar vetëm dëme të dy shtetet tona. Sa më të unifikuar që të jenë qëndrimet tona, atëherë mendoj që do të jetë më e lehtë për ne që të kemi prosperitet, por edhe më e shpejt rruga jonë drejt synimit tonë përfundimtar, që është hyrja në Bashkimin Europian”

https://youtu.be/ip-kW4RSfGM