Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë informacionet e fundit rreth të lënduarve nga aksidenti tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan mbi 40 të tjerë, raporton Express.
Mehaj ka bërë me dije se deri tash 26 prej të lënduarve janë liruar, kurse 15 janë ende në trajtim mjhekësor, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë.
Ai ka njoftuar se të lënduarve që janë liruar nga spitali dhe atyre që do të lirohen së shpejti do t’iu ofrohet akomodimi dhe transporti për vendlindje, përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut.
“Deri tash 26 nga të lënduarit janë liruar, kurse 15 janë ende në trajtim në spital nga të cilët vetëm një është në gjendje të rëndë. Të liruarëve dhe pjesës që do të lirohet së shpejti nga spitali do t’i ofrohet akomodimi dhe transporti për vendlindje përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut. Deri në fund, do të jemi pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe tanë si dhe pranë të lënduarve. Ky është misioni ynë dhe kjo është detyra jonë”, ka shkruar Mehaj.
I pari i Ministrisë së Mbrojtjes ka falenderuar autoritetet kroate për gjithë ndihmën e ofruar.
“Me këtë rast, shpreh mirënjohje dhe falënderimin e thellë për miqtë e mi, ministrat Banozic dhe Bozinovic dhe të gjitha autoritetet shtetërore dhe lokale të Republikës së Kroacisë të cilët bënë më të mirën për të menaxhuar këtë tragjedi që e ndjenë të përbashkët.
Miqësia dhe aleanca me shtetin dhe popullin kroat është e natyrshme dhe ashtu do të jetë gjithmonë!”, ka shkruar Mehaj./Gazeta Express