10 të vdekur e mbi 40 të lënduar është bilanci i aksidentit tragjik që ka ndodhur të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë.
Njëri nga viktimat është Hamed Hoxha, nga fshati Randobravë i komunës së Prizrenit.
E familja ka hapur dyert për të pame për ata që duan të shkojnë për ta ngushëlluar.
I biri i tij Valmir Hoxha, ka treguar për Klan Kosovën se si e kishte marrë lajmin për babain e tij.
Hoxha në Edicionin Special në Klan Kosova tha se deri në ora 22:00, nuk e ka pasur informatën se babai i tij kishte vdekur.
“Babai ishte nisur për të ardhur nga Gjermania. Ai jeton që disa vjet atje. Na ka treguar se ishte nisur me këtë autobus. Ditën e djeshme në ora 12:00 kam hyrë në internet dhe e kam parë lajmin për aksidentin që ka ndodhur”.
“Aty e kam pasur një shqetësim dhe një ndjenjë që më ka prekur. E kam thirrë disa herë në telefon dhe secilën herë mu kanë shtuar dyshimet. Gjithë ditën kemi qenë duke i përcjell lajmet dhe deri në ora 22:00 nuk kemi pasur mundësi të marrim ndonjë informatë të saktë. Në ora 22:00 e kemi kuptuar që ka ndërru jetë”.