Ballina Top Lajm Tragjedia me 10 viktima në Kroaci, e hëna shpallet ditë zie në...

Tragjedia me 10 viktima në Kroaci, e hëna shpallet ditë zie në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë vdekur tragjikisht në aksident rrugor në Kroaci.

Nga presidenca përmes një njoftimi për media kanë thënë se për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë. Kujtojmë që nga aksidenti në Kroaci 10 persona kanë vdekur ndërsa 45 janë lënduar.

Autobusi me targa nga Kosova ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë mirëpo është aksidentuar në orët e para të mëngjesit në Kroaci.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh ishin në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.