Nga Lirim Begzati
Sikur edhe në shumë shtete të tjera, edhe në Zvicër, pas disa viteve qëndrim, mund të fitohet shtetësia e këtij vendi, po që se plotësohen kushtet e përcaktuara sipas ligjeve.
Mënyra më e përhapur për fitimin e saj është shtetësia përmes rrugës ordinare (të rëndomtë). Personat e martuar me shtetas zviceran gëzojnë të drejtën për ca lehtësi ligjore apo procedurale.
Nëse disa nga rregullat e shtetësisë janë të ngjashme anembanë Zvicrës, një pjesë e tyre dallojnë deri diku nga kantoni në kanton. Dallime vërehen edhe në nivele të komunave.
Që nga 1 janari 2018 ndodhën ndryshime në ligjin mbi shtetësinë. Megjithatë, kushtet themelore për fitimin e saj nuk pësuan ndonjë ndryshim rrënjësor.
Bie pak më tepër në sy fakti i vullnetit politik për ashpërsimin e disave nga kriteret specifikë, posaçërisht të atyre që kanë të bëjnë me statusin e qëndrimit të kandidatëve dhe vlerësimin e nivelit të integrimit dhe gjuhësor, duke i zbutur ndërkohë kushtet mbi kohëzgjatjen e qëndrimit.
Paralelisht, për kategoritë e të rinjve anëtarë të familjeve që, brez pas brezi, jetojnë në Zvicër, u vendos për lehtësime plotësuese për marrjen e shtetësisë.
Fitimi i pasaportës zvicerane s’është një e drejtë e paprekshme, apo e fituar një herë e përgjithmonë, meqë ajo mund të humbet në disa raste të përcaktuara me ligj.
Cilat janë kushtet kryesore për fitimin e shtetësisë?
Kushtet që duhet të plotësohen për fitimin e shtetësisë zvicerane, përmes procedurës ordinare, janë këto si vijojnë:
· Kohëzgjatja e qëndrimit në Zvicër duhet me qenë 10 vite minimum, ndërsa vitet e kaluara në mes të moshës 8 dhe 18 vjeçare llogariten dyfish. Nëse dy bashkëshortë bëjnë njëkohësisht një kërkesë për shtetësi, atëherë mjafton që vetëm njëri nga to t’i plotësojë kushtet e kohëzgjatjes së qëndrimit, por me kusht nëse bashkëshorti tjetër ka jetuar në bashkësi martesore prej së paku 3 vitesh dhe banon në Zvicër prej së paku 5 vitesh. Po e njëjta rregull vlen edhe për rastet kur njëri prej bashkëshortëve është veç posedues i shtetësisë zvicerane;
· Kandidati duhet të ketë nivel të mirë të integrimit në shoqërinë zvicerane. Një çështje kjo e cila ballafaqohet me interpretime të llojllojshme, varësisht nga kantoni, autoriteti apo personi që duhet të japë vlerësim rreth kësaj pyetje. Domethënë, nuk ekziston aspak një rregull definimi e unifikuar e cila do të vlente anembanë territorit zviceran dhe për të gjitha instancat vendimmarrëse. Janë shpesh niveli gjuhësor, integrimi në tregun e punës dhe respektimi i rendit ligjor, ata të cilat ndikojnë më së tepërmi në vlerësimin e shkallës së integrimit në shoqëri;
· Adaptimi me normat zakonore dhe me « modelin » jetësor zviceran. Edhe për këtë rregull, vështirë të gjendet një definim kuptimplotë. Nocioni i adaptimit, gjithnjë e më shumë, cilësohet sot si një përshtatje e « ritmit » të jetës në një mjedisë shoqëror ku koekzistojnë norma dhe modele jetësore të të gjitha komponentëve të shoqërisë (pra zvicerane dhe të huaj) ;
· Respektimi i rregullave në fushën e pagesës së obligimeve që dalin nga përditshmëria e shpenzimeve jetësore apo të tjera. Kjo nënkupton se kandidati të mos jetë nën ndjekje për mospagim të obligimeve të ndryshme financiare ndaj shtetit apo të tjerëve (mos të ketë borxhe, e as të jetë i ndjekur nga organet e përmbarimit, (« Poursuites » (fr.), « Betreibungen », (gj.)) ;
· Pagimi i tatimeve. Është kjo ndër shtyllat kryesore të obligimeve në jetën zvicerane. Jo vetëm për fitimin e shtetësisë, por edhe për shumë sfera të tjera, mospagimi i tatimeve ndaj shtetit, mund të shkaktojë kokëçarje të shumta për personat që nuk i përmbushin këto obligime ;
· Respektimi i rendit juridik dhe moscenimi i sigurisë së brendshme apo të jashtme të vendit. Kjo rregull lidhet kryesisht me veprat penale (domethënë, kandidati mos të figurojë në regjistrin e dënimeve për vepra të karakterit penal (« Casier judiciaire » (fr.), « Strafregister » (gj.)) dhe nga ana tjetër, mos jetë i përfshirë në ndonjë aktivitet që cenon sigurinë shtetërore në Zvicër.
Cilat janë kushtet për fitimin e shtetësisë përmes procedurës së lehtësuar?
Lehtësitë aplikohen në qoftë se kandidati i plotësohen veçanërisht kushtet vijuese:
· Bashkëshorti i tij/saj duhet të jetë bartës i pasaportës zvicerane;
· Duhet të jetë i integruar në shoqëri, të marrë pjesë në jetën ekonomike zvicerane (apo të jetë i integruar në punë) dhe t’i respektojë vlerat e Kushtetutës të këtij vendi;
· Duhet t’i respektojë edhe rregullat e rendit juridik (mos të ketë kryer sidomos vepra penale) dhe të mos e cenojë sigurinë e brendshme apo të jashtme të shtetit zviceran;
· Të ketë banuar në Zvicër, prej së paku pesë vitesh dhe të jetoj në bashkësi martesore të qëndrueshme apo stabile prej së paku tri vitesh.
Çfarë peshe mbanë vlerësimi i lirë i autoriteteve?
Lista përmbledhëse e kushteve kryesore, bazohet në rregullat e aplikuara në tre nivelet shtetërore, të cilat vlerësohen pastaj sipas kritereve të hollësishëm, duke u bazuar në të gjitha elementet relevante të një dosje të deponuar.
Pesha e vlerësimit të lirë të autoriteteve është një element tjetër i rëndësishëm i cili i karakterizon dosjet e shtetësisë.
Nëse një pjesë e kushteve të shtetësisë bazohet në elemente konkrete (për shembull, kohëzgjatja e qëndrimit, regjistri i veprave penale, etj.), kjo nuk vlen edhe për disa kushte të tjera të cilat janë vështirë të verifikueshme dhe janë objekt i një vlerësimi të lirë (për shembull, çështja e shkallës së integrimit, etj.).
Si rrjedhojë e kësaj, çështja më delikate juridike lidhet me vështirësitë për kontestimin e vlerësimeve të dhëna rreth integrimit të kandidatëve; nuk ekzistojnë instrumente të mjaftueshme konkrete që japin përgjigje të sakta për vlerësimin e shkallës së integrimit.
Përfundimisht, kjo domethënë se, disa herë, nuk është lehtë që të verifikohet se a jemi eventualisht përballë ndonjë vendimi të padrejtë (arbitrar apo të njëanshëm).
Çfarë vendi zënë çështja e integrimit?
Ndryshimet ligjore përqendrohen me një theks të veçantë në domethënien më kuptimplotë të nocionit të integrimit. Ligji thotë se “ Integrimi është i suksesshëm vetëm atëherë kur personi i huaj është në gjendje të komunikojë në një gjuhë nacionale të Zvicrës, kur ai e respekton rendin dhe sigurinë publike, vlerat e Kushtetutës, kur ai është pjesëmarrës aktiv në jetën ekonomike të vendit dhe kur kujdeset edhe për integrimin e familjes së tij. Kandidati për shtetësi duhet të jetë i familjarizuar me kushtet e jetës zvicerane dhe mos ta rrezikojë sigurinë e brendshme dhe të jashtme të shtetit”.
Iu takon kantoneve (apo edhe komunave) që t’i definojnë sa më konkretisht dhe sa më qartë kriteret e saktë të kërkuara për integrimin e kandidatëve. Sipas dinamikave aktuale politike në fushën e integrimit, parashikohet një ashpërsim i dukshëm i disa kushteve kantonale dhe komunale për shtetësinë. Kjo sqarohet sidomos me faktin se, sipas komentimeve që vijnë prej ca qarqeve politike, bilanci i deritanishëm në fushën e akordimit të shtetësisë nuk duket plotësisht i kënaqshëm.
Shtetësia zvicerane; nuk është një e drejtë e fituar një herë e përgjithmonë!
Nëse rregulla të shumta aplikohen për fitimin e shtetësisë zvicerane, ekzistojnë po aq edhe për humbjen e saj. Bile nganjëherë, është më vështirë me e fituar se sa me e humbur shtetësinë, qofshin raste të rralla këto.
Statistikat tregojnë se janë pikërisht shtetësitë e fituara përmes procedurave të “lehtësuara” ata të cilat edhe mund të humben nganjëherë më së lehti.
Praktikat profesionale dëshmojnë gjithashtu se janë në pyetje veçanërisht rastet e personave të cilët e kanë fituar shtetësinë përmes martesës me një person bartës të shtetësisë zvicerane, dhe ndërkohë apo më vonë, është zbuluar se ka pasur një lidhje tjetër martesore në vendin e origjinës.
Shembull tjetër është rasti i mashtrimeve dhe dredhirave gjatë prezantimit të një dosje, kur janë depozituar dokumente të falsifikuara apo, atëherë kur zbulohet se janë fshehur fakte të rëndësishme për të cilat kandidati për fitimin e shtetësisë ka qenë i detyruar t’iu a prezantoi autoriteteve.
Edhe disa shembuj tregojnë se shtetësia mund të humbet nëse zbulohet se fituesi i saj ka përdorur akte të dhunës apo të kërcënimeve, para marrjes së vendimit definitiv. Për shembull, nëse, përmes kërcënimeve, i është imponuar bashkëshortes që të nënshkruaj një dokument i cili dëshmon njëfarë stabiliteti të bashkësisë martesore (edhe pse në realitet, shkurorëzimi dukej i paevitueshëm!).
Sipas një rregulle tjetër të përgjithshme, personat të cilët paraqesin një rrezik apo kanosje të rëndë për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të shteti zviceran, mund t’iu nënshtrohen procedurave për humbjen e shtetësisë (për shembull, implikimi në grupe terroriste, aktet e spiunazheve kundër shtetit, etj.).