Globalizimi po çon drejt zhdukjes gjuhën shqipe. Shqetësimi ngrihet nga përkthyesi, publicisti, leksikografi dhe shkrimtari Edmond Tupe.
Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, ai thotë se në fusha të ndryshme Gjuha Shqipe po masakrohet dhe nevojitet një lloj vigjilence.
Tupe: Do të vijë një ditë duke pasur parasysh globalizimin që nga globalizimi i gjuhës, do marrë tiparet e një anglishteje të amerikanizuar të pagëzuar me pak shqipe, kjo është e ardhmja. Globalizim do të thotë zhdukja e gjuhëve me rrezatim të vogël.
Kombet do të zhduken një ditë siç e kemi nisur ndaj duhet luftuar për të mbrojtur gjuhën në mënyrë fanatike dhe për të mbrojtur kulturën.
Ka globalizim ekonomik, por globalizim kulturor duhet patur kujdes. Gjuha Shqipe po masakrohet, në disa fusha ka gjëra të frikshme që po ndodhin.
Për këtë situatë, Tupe fajëson institucionet përgjegjëse, politikanët që u adresohen masave përmes mjeteve të informimit dhe vetë median.
Tupe: Për këtë përgjegjës janë disa struktura shtetërore, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës, politikanët sepse ata dalin dhe flasin në mjetet e informimit masiv, pastaj përgjegjësi të madhe kanë punonjësit e mediave.
Shumica e redaksive të shtypit të shkruar dhe mediave elektronike nuk kanë fjalor Shqip-Shqip me ato gafa që bëjnë, nuk kanë fjalor drejtëshkrimor të sjuhës shqipe dhe nuk kanë fjalor anglisht-shqip ose italisht-shqip. Jemi të gjithë të kërcënuar, duhet njëfarë vigjilence.
Shkrimtari vë në dukje se zhdukja e gjuhës çon në zhdukjen e vetë kombit, pasi nuk ka komb pa gjuhë.
Ai pranon se zhvillimet e vrullshme dhe hapja ndaj botës pas rënies së komunizmit shoqërohen me futjen e fjalëve të huaja, por kur ato zëvendësojnë fjalët shqipe atëherë kthehen në një rrezik real.
Tupe: Çdo gjuhë është një mjet komunikimi, pa gjuhë nuk ka komb, gjuha e ngjiz kombin. Ranë muret e izolimit dhe vinin fjalë të reja, terma teknikë dhe filozofikë. Por ndodhi ajo që nuk e kisha parashikuar, filloi zëvendësimi i fjalëve shqipe me fjalët e huaja kur nuk është e nevojshme.
Nëse unë e kam fjalën “tashmë”, se kuptoj si njerëzit thonë “xha”, duan të tregojnë që dinë italisht apo çfarë? Ndoshta reflekton një kompleks inferioriteti.
Kur vjen fjala e huaj dhe zë vendin, përjashton një fjalë shqipe, kjo mua më shqetëson. Fjala “kujtesë” në shqip ka vdekur, është varrosur, memorie e thonë të gjithë, edhe ata që nuk dinë gjuhë të huaj. Ky snobizëm i neveritshëm është i rrezikshëm.