Ka mbaruar hetimi në terren. Nga gjetjet në vendin e ngjarjes, Prokuroria Publike njofton se është duke punuar në zbardhjen e shkakut të zjarrit.
Burime brenda organit të akuzës thonë se ekipi hetues është duke punuar në dy pista: e para ka të bëj me dyshimet nëse zjarri është shkaktuar nga bombolat e oksigjenit të cilat kanë shpërndarë zjarrin në mënyrë zinxhirë dhe e dyta ka të bëj me dyshimet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga lidhja jo adekuate e energjisë elektrike, përkatësisht shkaktimi i zjarrit nga një aparat defibrilator.
Për momentin organi i akuzës në domenin e saj të hetimit nuk ka ngritur dyshime për zjarr vënie të qëllimshme nga faktori njeri.
Por Prokuroria pretendon që deri në mbylljen e hetimit, çdo version i dalë në opinion mbetet në suaza të spekulimeve. Prokurorët kanë marrë edhe dëshmitë e punonjësve të spitalit modular, ndërsa nga 14 viktimat e nxjerra për një pjesë kërkohet analizë e ADN-së me qëllim identifikimin e tyre. Prokuroria Publike njofton se pas kompletimit të hetimit në terren dhe grumbullimit të të gjitha provave materiale, opinioni do të njoftohet për shkaqet fillestare të zjarrit që shkaktoi tragjedinë e një dite më parë.
Dyshimet se shkaku i zjarrit mund të ketë ardhur si pasojë e gabimeve teknike gjatë ndërtimit i hedh poshtë edhe kompania “Brako” e cila ka ndërtuar disa spitale modulare në nivel shteti. Sipas tyre, vërejtjet e drejtorit ekonomik ishin për çështje estetike dhe jo përmbajtjesore.
“Vërejtjet teknike që janë denoncuar gjatë vënies në funksion dhe që janë përmendur në disa media kanë qenë kryesisht të natyrës estetike dhe aspak nuk mund të lidhen me tragjedinë”, njoftojnë nga Kompania Brako.