Me 14 nëntor në Kosovë është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë Komunash.
Në këtë garë Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një rezultat të dobët pasi që humbi qeverisjen e kryeqytetit dhe qytetit të dytë më të rëndësishëm të Kosovës, Prizrenin.
LVV arriti ta fitojë Gjilanin por humbi në Gjakovë.
Analistët në “Debat Plus” kanë komentuar këtë rezultat jo të mirë të Vetëvendosjes në zgjedhje lokale.
Ylli Hoxha thotë se Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje pati shumë probleme, përcjell Telegrafi.
“Një problem i madh për LVV-në në këto zgjedhje ishte nënvleftësimi i zgjedhjeve lokale duke shpallur kandidatët një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Arben Vitia ka menaxhuar pandeminë dhe ka pasur zëra që ai duhet të shkojë në zgjedhje vetëm si ministër. Problem tjetër është se LVV ka hyrë në zgjedhje sikurse në garë të ishin edhe Kadri Veseli e Isa Mustafa. LVV harroi se në krye të LDK-së ishte Lumir Abdixhiku i cili ishte ministër i vyer i qeverisë së tij. Edhe Memli Krasniqi ishte ndryshe…Një prej problemeve më të mëdha për LVV-në ishte kandidimi i Agim Bahtirit. Nëse LVV do ta kishte larguar Agim Bahtirin do të fitonte edhe Prishtinën e Prizrenit”, deklaroi Hoxha.
Visar Ymeri thotë se problemet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje janë shumë më të mëdha se ato që duken.
“Problemi është përplasje mes aktivistëve të vjetër të LVV-së me teknokratët e ri që janë futur në Lëvizje. Vetëvendosje më shumë ka qenë e përqendruar te ideali se te synimet personale. E dyta, Kurti sa herë që shkon në mbështetje të një kandidati e lë atë nën hije. Kurti e ka të pamundur të qëndrojë i dyti. Problem tjetër është përzgjedhje e kandidatëve në komuna. Një tjetër problem te LVV ka qenë arroganca e madhe në raport me komunikimin me qytetarët”, deklaroi Ymeri.
Ilir Mirena thotë se një qeverisje më e prekshme e LVV-së do të kishte sjellë tjetër rezultat.
“Kemi pasur punësime të familjarëve, ndryshime të bordeve, kemi pasur përkeqësim të raporteve me Amerikën, dhe të gjitha këto janë kaluar pa problem nga LVV. Të gjithë ata që kanë ngritur zërin ndaj këtyre problematikave kanë qenë të anatemuar…Një faktor tjetër i këtij rezultati të LVV-së është përqendrimi i pushtetit në duar të Albin Kurtit. Vet Kurti bërë përzgjedhjen e kandidatëve”, deklaroi Mirena.
Gazmir Raci thotë se opozita pas 14 shkurtit ka ndryshuar dhe fokusi i tyre nga ajo kohë deri më tani ishte vetëm përqendrimi me zgjedhje.
Sipas tij gjithë ky përqendrim u solli atyre suksesin në zgjedhje lokale.
“Një problem i madh në LVV ishte përzgjedhja e emrave për kryetarë komunash. Tjetër problem ishte neglizhimi i diasporës. Shumë mërgimtarë që kam takuar më thënë se ne erdhëm për Podujevën, derisa humbëm Podujevën. LVV e ka aset shumë të rëndësishëm diasporën”, deklaroi Raci.
Vehbi Kajtazi thotë se deklaratat e zyrtarëve të lartë të LVV-së kundër partive tjera ka ndikuar që në komuna të caktuara të gjithë të bashkohen kundër tyre.
“U pa se LVV nuk mund t’i konkurrojë të tjerët bashkë, madje nuk mund t’i konkurrojë as veç e veç. Rezultati tregoi se të gjithë veç e veç e mundën Kurtin. LVV-së kur i konvenojnë koalicionet ajo nuk i refuzon. Ata bënë koalicione në Prizren me partitë minoritare. Nuk lanë mjet e koalicion pa bërë në Kamenicë për ta mundur Qëndron Kastratin. Nuk e pati problem Kurti të bashkëpunojë në mënyrë të heshtur në Vushtrri për ta mundur Xhafer Tahirin…Kurti e lexoi keq rezultatin e 14 shkurtit. Ai mendoi se ata që e votuan me 14 shkurt ishin aktivistë të LVV, e jo vetëm votues të tij”, deklaroi tutje Vehbi Kajtazi./Telegrafi/