Ballina Aktualitet AUTOBUSI I “BESA TRANS” I DJEGUR NË BULLGARI NUK KISHTE LICENCË PËR...

AUTOBUSI I “BESA TRANS” I DJEGUR NË BULLGARI NUK KISHTE LICENCË PËR TRANSPORT NDËRKOMBËTAR (VIDEO)

Autobusi i transportuesit “Besa Trans”, i cili u dogj mbrëmë në Bullgari dhe humbën jetën 46 persona, nuk ka marrë certifikatën e lejes së transportit për qarkullim të brendshëm dhe ndërkombëtar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Ministri Blagoj Boçvarski në një konferencë për media sonte tha se transportuesi me seli në Rashçe të Shkupit kishte liçencë të rregullt, por në mesin e katër autobusëve të regjistruar në evidencën e ministrisë së tij nuk është autobusi që u dogj mbrëmë në autostradën “Struma” afër Pernikut. Për secilin automjet individualisht, transportuesi duhet të ketë certifikatë, gjithashtu edhe për çdo shofer, sqaroi Boçvarski.

“Në sistemin e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, transportuesi specifik regjistrohet me katër automjete që kanë certifikatë dhe leje transporti. Transportuesi mund të fillojë transportin e udhëtarëve në komunikacionin e brendshëm dhe ndërkombëtar pas marrjes së patentës dhe certifikatës për mjetin motorik. Pas informacioneve të marra nga MPB, automjeti i djegur nuk është raportuar nga transportuesi dhe për këtë shkak automjeti nuk gjendet në bazën elektronike të të dhënave të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit. Transportuesi është i obliguar që menjëherë, dhe jo më vonë se 15 ditë, ta informojë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për ndryshimet në lidhje me automjetet dhe shoferët”, tha Boçvarski.

“BESA TRANS” FITOI LICENCË NGA GUSHTI 2018 DERI NE GUSHT 2022, BLERJEN E AUTOBUSIT TË RI NUK E KANË PARAQITUR, THONË NGA MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE”.

Ai shtoi se kontrolli i transportit të mallrave dhe udhëtarëve në komunikacionin e brendshëm dhe ndërkombëtar është përgjegjësi e Inspektoratit Shtetëror për Transport dhe me propozim të Inspektoratit, Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit mund t’ia heq licencën transportuesit. Ai po ashtu tha se është iniciuar një procedurë për heqjen e licencës së transportuesit.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në të njëjtën konferencë për media tha se kontrolli i fundit i saktësisë teknike të autobusit është bërë më 5 tetor të këtij viti.