Ballina Aktualitet Borrell: Duam hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë këtë vit

Borrell: Duam hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë këtë vit

Pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka përforcuar mesazhin lidhur me pritshmërinë e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave zyrtare të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti, raporton ABC.

“Ne zhvilluam një diskutim të gjatë mbi Ballkanin Perëndimor përtej politikës së zgjerimit. Bëhet fjalë për forcimin e aksioneve politike të Bashkimit Evropian në rajon dhe përfshirjen e partnerëve tanë në rajon në politikën tonë të jashtme të BE-së. Ne dëshirojmë të shohim  mbajtjen e konferencën së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur, me shpresë gjatë kësaj presidence të Bashkimit Evropian, para fundit të vitit. Nëse ne nuk do ta bëjmë këtë, kjo do të ndikojë negativisht në besueshmërinë e rajonit  të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian” ka deklaruar Josep Borrell.

Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, shefi i diplomacisë evropiane është shprehur “Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë tërësisht të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të bërë progres të shpejtë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve gjithpërfshirjes midis dy vendeve. Ne presim të zhvillojmë një takim të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit para fundit të vitit. Së paku, ky është synimi im në ftesën drejtuar dy liderëve” .

Borrell është ndalur më tej te Kriza në Bosnjë-Hercegovinë, si një  nga pikat e rëndësishme të agjendës së takimit të ministrave të jashtëm. “Situata në Bosnjë-Hercegovinë është shumë serioze dhe ne jemi shumë të shqetësuar, pasi në vend që konteksti zgjedhor të përdoret për të avancuar në reforma të rëndësishme, disa liderë politikë zgjedhin që të adoptojnë retorikën përçarëse, ndarëse dhe bllokuese. Ne e ripërsërisim angazhimin tonë për një perspektivë evropiane të Bosnjë-Hercegovinës si një vend i vetëm, i bashkuar dhe sovran” ka theksuar Borrell. Ai është shprehur, se liderët duhet të rimarrin dialogun, të kthehen në institucionet shtetërore dhe të rifillojnë punën në reforma kyçe.