Borxhi i Komunës së Tetovës është mbi 24 milionë euro në total, këtë e ka konfirmuar sot kryetari i kësaj komune, Bilall Kasami. Ditën e hënë pritet që Kasami të mbajë konferencë për shtyp të detajuar për këtë borxh, shkruan Portalb.mk.
Komuna e Tetovës, është ndër komunat me borxhin më të madh në nivel republikan. Rritja e borxhit të kësaj komune ka ndodhur gjatë muajve të fundit të mandatit të dytë të Teuta Arifit si kryetare e Tetovës. Në shtator të vitit të kaluar vetëm borxhi i komunës pa ndërmarrjet ishte 9,4 milionë euro ndërsa sot, borxhi i Komunës së Tetovës është 14,06 milionë euro. Ndërkaq, së bashku me borxhin e ndërmarrjeve publike dhe shkollave ky borxh është 24,01 milionë euro.
Në infografikun e poshtëm mund të shihet borxhi i Komunës së Tetovës, ndërmarrjeve publike dhe shkollave.
Për atë se kujt dhe sa i ka borxh Komuna e Tetovës, ndërmarrjet dhe shkollat të dhënat mund të shihen në tabelën më poshtë të përgatitur nga Portalb.mk.
https://youtu.be/uQOT8TWxWAE
Teuta Arifi, kritikoi paraardhësin e Saj Sadi Bexhetin për borxhin e Komunës, por vetë për dy mandate e futi ende më shumë në borxh komunën
Një prej kritikave më të mëdha të ishkryetares së Komunës së Tetovës Teuta Arifi kundrejt paraardhësit të saj, ish kryetarit të kësaj komune, Sadi Bexheti, ka qenë pikërisht futja e komunës në borxhe të mëdha.
Andaj, kjo e fundit në “Debat për nime” për Portalb.mk dhe Kallxo.com premtoi se gjatë mandatit të saj do të ul ndjeshëm borxhin komunal edhe atë për çdo vit, nga 1 milionë euro më pak.
“Plani ynë është që çdo vit të ulim borxhin komunal për 1 milion euro” tha Teuta Arifi, në vitin 2017.
Kjo nuk ndodhi, përkundrazi, borxhi i Komunës së Tetovës u rrit. Rikujtojmë që në vitin 2018, Qeveria e Maqedonisë në vitin 2018, ia shleu Komunës së Tetovës borxhin për 50%, por kjo nuk dha asnjë efekt pozitiv në zvogëlimin e borxhit, ai u rrit ende më shumë. Borxhi është rritur nga 8 milionë euro në vitin 2013, në 14,06 milion euro sot që flasim.
Ndryshe, për ditën e hënë zëdhënësi i Komunës së Tetovës njoftoi se do të ketë konferencë për shtyp në lidhje me borxhin e komunës, pasi deri ditën e dielë për shkak të tragjedisë që ndodhi në Bullgari, të gjitha aktivitetet e komunës janë pezulluar.