Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou vuajti nga e njëjta mungesë besimi midis vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara që ka rënduar negociatat globale për klimën për gati tre dekada. Financimi është në qendër të kësaj thyerjeje dhe ka ardhur koha për një qasje të re.
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Glasgou (COP26) ishte shumë larg asaj që nevojitet për një planet të sigurt, kryesisht për shkak të të njëjtës mungesë besimi që ka rënduar negociatat globale për klimën për gati tre dekada. Vendet në zhvillim i konsiderojnë ndryshimet klimatike si një krizë të shkaktuar kryesisht nga vendet e pasura, të cilat ata mendojnë se po i shmangen përgjegjësisë së tyre historike dhe të vazhdueshme për krizën. Të shqetësuar se do të mbeten duke paguar pasojat, shumë vende kyçe në zhvillim, si India, nuk kujdesen shumë për të negociuar apo për të hartuar strategji.
Ata kanë të drejtë. Sjellja e dobët e Shteteve të Bashkuara gjatë tre dekadave nuk është pak për ta. Pavarësisht lutjeve për veprim nga presidenti Joe Biden dhe i dërguari për klimën, John Kerry, Biden nuk ka qenë në gjendje të nxisë Kongresin Amerikan që të miratojë një standard energjie të pastër. Biden mund të ankohet sa të dojë për Kinën, por pas 29 vitesh mosveprimi të Kongresit që kur Senati ratifikoi Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike në 1992, pjesa tjetër e botës e sheh të vërtetën: Kongresi i thyer dhe i korruptuar i Amerikës mbetet në dorën e kompanive më të mëdha të naftës dhe qymyrit.
Financimi është në qendër të këputjes gjeopolitike për ndryshimet klimatike. Vendet në zhvillim tashmë po gjenden nën presione të panumërta: pandemia e COVID-19, ekonomitë e dobëta vendase, fatkeqësitë gjithnjë e më të shpeshta dhe të rënda të lidhura me klimën, ndërprerjet e shumta të epokës digjitale, tensionet SHBA-Kinë dhe kostot e larta të huamarrjes për kreditë ndërkombëtare. Ata shikojnë vendet e pasura që marrin hua miliarda dollarë në tregjet e kapitalit me norma interesi gati zero, ndërsa ata duhet të paguajnë 5-10%, nëse arrijnë të marrin dot ndonjë hua. Me pak fjalë, ata shohin se shoqëritë e tyre po mbetet gjithnjë e më pas disa vendeve me të ardhura të larta.
Në këtë sfond ankthi të lartë ekonomik, vendet në zhvillim shohin që vendet e pasura refuzojnë të diskutojnë drejtpërdrejt krizën financiare me të cilën përballen vendet në zhvillim kur bëhet fjalë për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike ose nevoja të tjera urgjente. Ata shohin vendet e pasura që shpenzojnë rreth 20 trilionë dollarë shtesë për ekonomitë e tyre në përgjigje të COVID-19, por më pas nuk respektojnë premtimin e tyre – që datojnë nga COP15 në 2009 – për të mobilizuar 100 miliardë dollarë në vit për të ndërmarrë masa klimatike në vendet në zhvillim.
Sigurisht, përmbajtja e Biden për financimin e klimës për vendet në zhvillim është i kuptueshëm. Ai do të kritikohej në mediat nacionaliste amerikane, nëse do të bënte thirrje për më shumë ndihmë nga SHBA-ja për vendet në zhvillim dhe nuk do të fitonte asgjë për këtë në Kongres. Me zbehjen e ndikimit global të SHBA-së, nacionalistët e Amerikës janë kthyer në mënyrë edhe më agresive kundër pjesës tjetër të botës. Ata që mbështesin “Amerika e para” në Kongres do të bllokonin çdo shumë të re parash të caktuar për këtë qëllim.
Shumë qeveri në Evropë janë thuajse në të njëjtën pozitë, të gjendura në mënyrë të pasigurt midis partive nacionaliste dhe internacionaliste. Dhe me deficitet buxhetore në vendet evropiane përgjithësisht të larta pas COVID-19, shumë parlamente kanë pak dëshirë për të bërë më shumë – sidomos duke pasur parasysh që Bashkimi Evropian tashmë i kushton një pjesë shumë më të lartë të të ardhurave kombëtare bruto (afërsisht 0.5%) asistencës zyrtare zhvillimore sesa i kushton SHBA-ja (vetëm 0.17%).
Kjo na lë të mbërthyer mes realitetit të një krize klimatike shkatërruese globale dhe politikës nacionaliste të vendeve të pasura, me financimin për çështjet klimatike të bazuar në kontributet vullnetare të të pasurve. Rezultati është nënfinancimi i thellë kronik i të mirave publike globale si klima e sigurt, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe vaksinat kundër COVID-19. Liderë si Biden mund t’i kërkojnë legjislaturave të tyre që të jenë përgjegjës, por ligjvënësit shohin se është më e leverdishme politikisht të sulmojnë të huajt “që s’e meritojnë”.
Dështimet financiare në COP26 janë tragjike dhe absurde, duke shkuar përtej dështimit të përgjithshëm për të mobilizuar 100 miliardë dollarët e premtuar në vit. Kini parasysh se Fondi shumë i lavdëruar për Përshtatje Klimatike, i krijuar për të ndihmuar vendet në zhvillim që të përmbushin nevojat e tyre të përshtatjes, mblodhi të 356 milionë dollarët që ishin zotuar të mblidheshin në COP26, ose afërsisht pesë cent për person në vendet në zhvillim të botës. Financimi për “humbjet dhe dëmet”, domethënë për të rikuperuar dhe rindërtuar dëmet e shkaktuara nga katastrofat klimatike, shkoi edhe më keq, me vendet e pasura që ranë dakord vetëm të mbanin një “dialog” për këtë çështje.
Ky vullnetarizëm financiar duhet të marrë fund. Ne kemi nevojë për një formulë globale që cakton përgjegjësi për çdo vend të pasur. Të paktën në atë rast, komuniteti global do të kishte një pikë referimi për të kërkuar veprim nga vendet e ngathëta si SHBA-ja.
Ja cnjë qasje e drejtpërdrejtë dhe e zbatueshme. Për të ndihmuar financimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër dhe qëndrueshmërinë klimatike (përshtatjen) në vendet në zhvillim, çdo vend me të ardhura të larta do të caktohet të paguajë 5 dollarë për ton dioksid karboni të emetuar. Vendeve me të ardhura të mesme të larta do të paguajnë 2,50 dollarë për ton. Këto tarifa do të fillonin sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të rriteshin gradualisht, duke u dyfishuar në pesë vjet.
Vendet mund të paguajnë lehtësisht shuma të tilla modeste nga të ardhurat e taksave të karbonit dhe ankandeve e lejeve të emetimeve, të cilat të dyja do të kenë një çmim shumë më të lartë për ton CO2 sesa taksa e mbledhur.
Vendet me të ardhura të larta aktualisht emetojnë rreth 12 miliardë ton CO2 në vit dhe vendet me të ardhura të mesme të larta po emetojnë rreth 16 miliardë ton në vit, kështu që pagesat e dioksinit të karbonit do të arrinin në afërsisht 100 miliardë dollarë në fillim dhe do të dyfishoheshin pas pesë vjetësh. Fondet do të drejtoheshin për vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura mesatare të ulëta, si dhe për vende të veçanta me dobësi të veçanta klimatike (siç janë shtetet me ishuj të vegjël që përballen me rritjen e nivelit të detit dhe ciklonet tropikale më intensive).
Supozoni se gjysma e fondeve (fillimisht 50 miliardë dollarë) shpërndahen si grante të plota, dhe pjesa tjetër injektohet në bankat e zhvillimit shumëpalësh në botë (MDB), si Banka Botërore dhe Banka Afrikane për Zhvillim, si kapital i ri për të mbështetur financimin e klimës. MDB-të do ta përdorin kapitalin e ri për të mbledhur fonde në tregjet e kapitalit, duke i rritur 50 miliardë dollarët e rinj në ndoshta 200 miliardë dollarë në bono të gjelbra, të cilat do t’ua jepnin hua vendeve në zhvillim për projekte klimatike.
Në këtë mënyrë, taksa modeste e karbonit do të mblidhte rreth 250 miliardë dollarë në financimin e ri vjetor të klimës dhe do të dyfishohej në rreth 500 miliardë dollarë pas pesë vjetësh.
Për të financuar humbjet dhe dëmet, do të aplikohej një taksë shtesë, jo për emetimet aktuale, por për shumën e emetimeve të kaluara, në mënyrë që humbjet dhe dëmet e sotme të përafrohen me përgjegjësinë historike për ndryshimet klimatike të ditëve të sotme. SHBA-ja, për shembull, është përgjegjëse për rreth 20% të të gjitha emetimeve të CO2 që nga viti 1850. Nëse një Fond i ri Global për Humbjet dhe Dëmtimet kërkon të mbledhë, ta zëmë, 50 miliardë dollarë në vit, pjesa vjetore e SHBA-së do të ishte 10 miliardë dollarë.
Pajtimi për parime të tilla sigurisht që nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë shumë më mirë të luftosh për një sistem të ri të bazuar në rregulla sesa të vësh bast për të ardhmen e planetit mbi vullnetarizmin. COP26 tregoi përfundimisht se t’i kërkosh politikanëve kombëtarë që të votojnë për fondet vullnetare për të mirat publike globale është një rrugë pa krye. Politikanët e vendeve të pasura kishin shumë vite kohë në dispozicion për të realizuar financimin e premtuar për ndryshimet klimatike, por ata dështuan. Një sistem i bazuar në rregulla, me ndarje të drejtë dhe transparente të barrës, është mënyra e duhur për të siguruar financimin që na nevojitet për sigurinë dhe drejtësinë planetare.