Disa prej aktivistëve më të mëdhenj të drejtave të njeriut vijnë nga India, kështu nuk është për t’u habitur që ky grup i grave janë nga ky vend.
Mahatma Gandhi, Taj Mahal, lopa si kafshë e shenjtë, çaji indian, të gjitha këto gjëra na asociojnë në Indinë. E tani kësaj mund t’i bashkojmë edhe një gjë – grupin Gulabi, transmeton Telegrafi.
Gulabi apo ndryshe grupi vjollcë nga India, është një grup i grave që nuk durojnë dhunën, e sigurisht se nuk hezitojnë të tregojnë që edhe gratë kanë anën e tyre të fortë – pavarësisht që shpesh e fshehin pas anës së butë.
Grupi i themelua pasi që Sampat Pal Devi, një grua e rëndomtë nga një fshat në veri të Indisë, ishte dëshmitare kur një grua u rrah brutalisht në rrugë.
Duke tentuar ta ndihmojë e pësoi edhe vet, kështu vendosi të mos ndalet me kaq. Të nesërmen, e shoqëruar nga pesë gra tjera, gjeti sulmuesin të cilin më pas e mavijosën duke e goditur me shkopinj.
Në vitin 2006, mendonte se grupi i saj kishte nevojë për uniformë dhe emër zyrtar, kështu Pal Devi si shenjë identifikuese zgjodhi një “sari” vjollcë – veshje tradicionale e grave në Indi, që simbolizon potencialin e një gruaje.
Sot, Gulabi ka marrë përsipër “luftimet” kundër një sërë padrejtësish që ato kanë hasur në shoqëri – siç është lufta për të drejtën e shkollimit të vajzave, kundër korrupsionit, pavarësia financiare e gruas dhe shumë raste tjera. Madje kanë ueb-faqen zyrtare ku gjenden më shumë informacione për to. /Telegrafi/