Ballina Aktualitet Parkingu në Tetovë është pa pagesë, mos dërgoni mesazhe

Parkingu në Tetovë është pa pagesë, mos dërgoni mesazhe

Për momentin parkingu zonal në Tetovë funksionon pa pagesë, por nëse dërgoni mezash mjetet financiare tërhiqen. Nga Komuna e Tetovës thanë se kjo ndodh nga sistemi operativ i cili është ne proces e sipër për t’u ndalur. Kështu që parkingu deri në njoftimin e radhës nga komuna është pa pagesë dhe nuk duhet të dërgohet mesazh, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët vazhdojnë të kenë pikëpyetjet e tyre se a të dërgojnë apo jo sms për parkingun zonal në Tetovë, edhe pse i njëjti është pa pagesë. Kjo është bërë temë diskutimi ditëve të fundit edhe në bisedat e përditshme gjithashtu ka shkaktuar edhe reagime në rrjetet sociale.

“Unë personalisht parkova veturën dhe lëshova SMS dhe e kam dëshmi se mjetet janë tërhequr edhe pse ka njoftim se është pa pagesë, nuk është i qartë si vendim”, tha këshilltari nga BDI, Blerim Osmani.

Të njëjtën provoi edhe gazetari i Portalb.mk dhe rezulton që mjetet tërhiqen nga dërgimi i mesazhit.

Ndërkaq nga Komuna e Tetovës thanë se parkingu momentalisht është pa pagesë, deri ne momentin që do kenë zgjidhje të problemit.

“Shkaku i tërheqjes se mjeteve ndodh për shkak te sistemit operativ i cili është ne proces e sipër për tu ndalur. Pra parkingu është pa pagese, deri në një njoftim te ardhshëm.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Kasami ka kërkuar nga udhëheqësi i kësaj ndërmarrjeje që të përgatis një raport se si është gjendja e ndërmarrjes dhe pastaj të vendoset si do të vazhdojë mënyra e punës, ndërkaq Kasami tha se si opsion mund të jetë edhe mbyllja e saj.

“Te parkimi zonal ne jemi në analizë të situatës, sigurisht që ka disa opsione të cilat ne jemi duke i analizuar, pres pra në komunikim me drejtorin e ndërmarrjes së parkingjeve që të më ofrojë zgjidhje për situatën aktuale. Një ndër zgjidhjet mbyllja edhe likuidimi i ndërmarrjes. Nuk është vendim, janë disa opsione, një ndër ato mund të jetë edhe kjo.” tha Bilall Kasami.

Ndërsa për punëtoret e punësuar në këtë ndërmarrje Kasami tha se ata mund të transferohen në ndërmarrje tjera. Kjo ndërmarrje ka rreth 60 të punësuar.

Ligjërisht, parkimi i veturave përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen rrallë shihet gjatë bulevardit “Industrial”.

Gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami premtoi se në Tetovë ne kanë paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj me çka do të dyfishohen dhe në disa raste do të trefishohet kapaciteti i parkingjeve aktuale.

“Sigurisht kemi paraparë edhe ndërtimin e tre garazheve në kate me partneritet privat-publik, me këtë ne vlerësojmë se gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e problemit do të zgjidhet dhe ajo që është me rëndësi, që buxhetit të Komunës së Tetovës zgjidhja njëherë e përgjithmonë e çështjes së parkimit të veturave nuk do t’i kushtojë më shumë se 1 milion euro, në ndërtimin e shtatë parkingjeve të cilat garantoj qytetarët e Tetovës se do të ndërtohen jo më gjatë se gjashtë muaj, dhe njëjherë e përgjithmonë veturat do të largohen nga rrugët, do të hapen rrugët dhe qytetarët e Tetovës do të mund të lëvizin dhe të frymojnë lirshëm.” tha Bilall Kasami në Debatpërnime.

Ndryshe, Te NP “Parkingu i Qytetit” është ndërruar drejtori, në krye të kësaj ndërmarrje si ushtrues detyre momentalisht është emërtuar Igor Dodevski, ndërkaq deri më tani me këtë ndërmarrje ka udhëhequr Sadat Alili. Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, vazhdimisht ka punuar në humbje. “Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dallimi mes të hyrave dhe të dalave te NP “Parkingu i Qytetit” është 1.363.000 denarë apo mbi 22.000 euro.