Pas 13 vjetësh, këngëtarja Britney Spears është më në fund e lirë nga kujdestaria e babait të saj. Ajo e ka përshkruar përfundimin e marrëveshjes ligjore që kontrollonte shumë aspekte të jetës së saj për 13 vjet si “ditën më të mirë ndonjëherë”. “Mendoj se do të qaj.”- u tha ajo 35 milionë ndjekësve të saj në Instagram. Një gjykatës në Los Anxhelos të premten i dha fund kujdestarisë së krijuar nga babai i këngëtares 39-vjeçare në vitin 2008 me efekt të menjëhershëm. Fansat e Britney-t ishin mbledhur jashtë gjykatës së Los Anxhelos për të mbështetur këngëtaren, e cila e kishte përshkruar kujdestarinë si abuzive.
Babai i saj Jamie më herët tha se kujdestaria ishte “e nevojshme”, por ra dakord se ishte koha që ajo “të rimarrë kontrollin e jetës së saj”. “Jeta e saj ishte në rrëmujë dhe ajo ishte në shqetësim fizik, emocional, mendor dhe financiar.”- thanë avokatët që përfaqësonin Jamie Spears në dosjet e mëparshme gjyqësore, citon BBC.
Good God I love my fans so much it’s crazy 🥺❤️ !!! I think I’m gonna cry the rest of the day !!!! Best day ever … praise the Lord … can I get an Amen 🙏🏼☀️🙌🏼 ???? #FreedBritney
🎥: @AbbyShalawylo pic.twitter.com/yk1vO3H02L
— Britney Spears (@britneyspears) November 12, 2021
Kujdestaria kishte fuqi mbi financat e saj dhe vendimet e karrierës, plus çështje të mëdha personale, të tilla si vizitat që mund të bënte me fëmijët, apo edhe nëse ajo mund të rimartohej. Të premten, gjyqtarja e Gjykatës së Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, Brenda Penny, vendosi në favor të kërkesës së këngëtares për t’i dhënë fund kujdestarisë, që nuk u kundërshtua nga asnjë nga palët e përfshira. Si pjesë e vendimit, gjykatësja tha se një kontabilist që shërbeu si kujdestar i përkohshëm duhet të mbajë ende disa kompetenca për të zgjidhur çështjet e vazhdueshme financiare.
Kujtojmë se në një paraqitje gjyqësore në qershor, këngëtarja i kërkoi gjykatës t’i jepte fund marrëveshjes “abuzive” dhe tha se ishte “e traumatizuar”. Duke iu drejtuar gjykatës nga distanca, ajo tha se ishte droguar, detyruar të performonte kundër vullnetit të saj dhe ishte penguar të martohej apo të kishte më shumë fëmijë. Kjo dëshmi e këngëtares bëri që babai i saj të pranonte të largohej. Një kujdestari e tillë përdoret për njerëzit që nuk mund të marrin vendimet e tyre dhe u vendos për shkak të shqetësimeve për shëndetin e saj mendor.