Jeta e mjekut 26-vjeç, Max Lee nga Hong Kongu, në garsonierën e tij sillet rreth shtratit. Kjo është gjëja e parë që bie në sy në momentin që dikush futet në apartamentin e tij.
Jo vetëm që e bën gjumin në shtrat, por edhe shikon televizorin dhe studion literaturën e mjekësisë kur nuk është në spital. Laptopi i tij është i vendosur në tavolinën e ngushtë dhe të vogël, transmeton Telegrafi.
Lee zgjodhi këtë hapësirë prej 20.5 metra katrorë në një ndërtesë xhami në qendrën e Kovlunadas, dhe ndihet me fat që ka mundur ta përballoj financiarisht që të jetoj në qendrën e qytetit.
“Në rregull është të jetosh i vetëm, por kur vjen e dashura ime, është problem”, tha Lee për Bloomberg.
Ambienti ku jeton Lee mund të duket shumë i vogël për shumëkënd, por një trend i tillë në lagjen ku jeton është bërë një skenë e zakonshme – që tani po quhen mikro-apartamente.
Në Hong Kong ekzistojnë rreth 8.500 apartamente të tilla, që kulmuan me ndërtimin e tyre në vitin 2019 dhe përbënin rreth 7 për qind të ndërtimeve të përgjithshme.
E pavarësisht se në Hong Kong po ndërtohen rrokaqiej shumë modern, një pjesë e madhe e qytetarëve detyrohen të jetojnë në këto mikro-apartamente.
Larg projektit amerikan “shtëpitë e vogla”, këto janë apartamente me vetëm një dhomë me hapësirë të mjaftueshme vetëm për një shtrat, dollap, tualet dhe kuzhinë.
Statusi i Hong Kongut si një prej qyteteve më të mbipopulluara në botë, ka bërë që të rriten kërkesat për apartamente të tilla.
Sipas të dhënave të qeverisë, mungesa e hapësirës ka bërë që të rritet çmimi i shtëpive për 187 për qind nga vitit 2010 deri më 2019.
Mesatarja e çmimit të apartamenteve sillet në 1.3 milionë dollarë, në qytetin ku paga minimale për vetëm një orë punë është 4,82 dollarë.
Madje edhe një punonjës i kualifikuar i Hong Kongut, duhet të punojë 21 vite për të përballuar një apartament mesatar prej 60 metrave katrorë në afërsi të qendrës së qytetit – që është periudha më e gjatë kohore në botë.
Çmimet vazhdojnë të mbesin në nivel rekord, pavarësisht pandemisë së coronavirusit që ka çrregulluar pothuajse çdo sektor të jetës.
Mikro-apartamentet që kushtojnë për gjysmë më pak sesa një apartament mesatar, ofrojnë pamje nga pjesë të ndryshme të qytetit.
Një prej apartamenteve më të vogla është ai prej 12 metrave katrorë, që njihen si nano-apartamente që janë më të vogël sesa madhësia e veturës apo parkingjeve të veturave.
Apartamentet nga 15 deri në 27 metra katrorë aktualisht kushtojnë nga 800 mijë deri në një milion dollarë. /Telegrafi/