Policia e Strugës ka arrestuar E.S.(57 vjeç), nga Struga, i cili në Gjimnazin “Ibrahim Temo” ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe me send metalik ka sulmuar dhe rrahur një nxënës të kësaj shkolle, deklaruan nga Sektori për Punë të Brendshme – Ohër.
Një profesor ka plagosur me send metalik një nxënës në Shkollën e Mesme “Ibrahim Temo” të Strugës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të ditës së sotme.
Nxënësi është pranuar në Repartin e Kirurgjisë me lëndim në kokë, ka konfirmuar drejtori i Spitalit të Strugës, Armend Arsllani.
– Departamenti i Kirurgjisë më njoftoi se në orën 13:45 është pranuar një fëmijë me plagë në kokë. Është bërë qepja dhe fëmija është lëshuar për trajtim shtëpiak, ka thënë Arsllani për MIA-n.
Policia, siç informon zëdhënësi i SPB-së Ohër Stefan Dimoski, ka arrestuar autorin, 57-vjeçarin nga Struga.
– Në stacionin policor të Strugës është ndaluar E.S. (57 vjeç) nga Struga, i cili në shkollën e mesme “Ibrahim Temo” ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe me një send metalik ka sulmuar fizikisht një nxënës të po kësaj shkolle. Ngjarja është duke u zbardhur plotësisht, tha zëdhënësi i SPB Ohër Stefan Dimoski.
Profesori, i cili mesditën e sotme ka plagosur me send metalik një nxënës, ka qenë problematik për një kohë të gjatë, ka konfirmuar drejtoresha e gjimnazit “Ibrahim Temo”, Besime Jonuzi.
Sipas saj, sherri mes profesorit dhe nxënësit ka nisur pardje dhe komisioni disiplinor në shkollë ka vendosur dje pezullimin e tij.
– Nuk e dimë motivin, sepse kemi vite që kemi probleme me profesorin. Janë njoftuar të gjitha institucionet, janë marrë të gjitha masat ligjore. Ngjarja ka nisur pardje, dje në mëngjes kam thirrur një mbledhje të komisionit disiplinor ku është marrë vendimi për pezullimin e tij. Sot duhej të firmosja vendimin dhe të njoftoja profesorin. Nuk e di nëse e ka marrë vesh vendimin kështu që ngjarja ka ndodhur, e ka goditur me një shufër hekuri në kokë. “Ne thirrëm policinë dhe ata e arrestuan, ndërsa nxënësin e çuam në spital”, tha Jonuzi.
Profesori është suspenduar përkohësisht dhe siç ka theksuar drejtoresha, institucionet do të vendosin për rikthimin e tij në punë./TetovaNews