Gjykata e Apelit e Kalamatës në Greqi, ka dënuar me 10 vite burg një 47-vjeçar shqiptar i cili dy vite më parë tentoi të vrasë bashkëshorten e tij, duke e lyer me benzinë dhe duke i vendosur flakën.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e djeshme në gjykatë, 41-vjeçarja ka treguar mbi ngjarjen e 11 dhjetorit 2019 teksa ka shpërthyer në lot.
Sipas mediave greke, gjykata nuk pranoi asnjë kërkesë të shqiptarit duke i dhënë dënimin prej 10 vitesh. Gruaja tha se ishin martuar në vitin 1999. Bashkëshorti i saj ishte i dhunshëm dhe vazhdimisht dyshonte se kishte marrëdhënie jashtëmartesore.
Ata kanë dy fëmijë dhe ai e godiste shpesh para syve të tyre. Gruaja tregoi se atë natë ishte kthyer në shtëpi me djalin e tyre 14-vjeçar dhe kur mori vesh se do të kishte sërish telashe me të shoqin, doli jashtë me fëmijën në shëtitje. 47-vjeçari shqiptar nisi sërish debatin me akuzat për lidhje jashtëmartesore të gruas dhe kur ajo e ka mohuar, ka marrë një litar që kishte në xhep, e ka lidhur në qafë, e ka tërhequr në shtrat.
Ai e lidhi pranë shtratit dhe më pas ka marrë nga ballkoni një shishe me 5 litra benzinë që kishte fshehur, e ka lyer dhe i vendosi flakën. Ajo u përpoq të shuante zjarrin duke u rrotulluar në shtrat. Më pas ka tentuar të bëjë të njëjtën gjë në divan me batanije, ndërsa kur ka arritur ta fikë zjarrin ka marrë guximin të zbresë nga kati i 5-të i pallatit për të shpëtuar.
Aty ka parë zjarrfikësin që kishte mbërritur, ndërsa më pas ka ardhur një ambulancë dhe është nisur drejt spitalit ku për dy muaj mori trajtim mjekësor.
“Unë isha djegur gjithandej. Nuk e dija nëse kisha fytyrë, nuk e dija çfarë po ndodhte”, tha ajo dhe përsëriti se 47-vjeçari nuk mori asnjë masë për ta ndihmuar.
Ajo theksoi se edhe tani, pas dy vitesh, ka shumë dhimbje, disa operacione përpara dhe se edhe rrobat që i qëndrojnë janë të padurueshme.