Komuna e Tetovës ka shpallur thirrje publike për vendosjen e pajisjes urbane në sipërfaqet publike para lokalit afarist – tarracë, transmeton Portalb.mk.
Nga Komuna njoftojnë se ftojnë të gjithë personat juridik shfrytëzues të sipërfaqeve publike, të regjistruar për kryerjen e veprimtarisë në regjistrin përkatës – veprimtari hoteliere, të parashtrojnë kërkesë deri te kryetari i Komunës së Tetovës për marrjen e lejes për vendosjen e pajisjes urbane në sipërfaqe publike para lokalit afarist.
Me kërkesën është e nevojshme të dorëzohen dokumentacionet të cilat mund ti gjeni KËTU.
Të gjithë personat të interesuar duhet të dorëzojnë kërkesën deri te Komuna e Tetovës gjegjësisht në Arkivin e Komunës.
Kryetari i komunës, Bilall Kasami i pyetur për atë se a kanë paraparë ndonjë lehtësim për çmimet e tarracave që paguajnë bizneset apo diçka e tillë, pasi jemi në kohë pandemie, tha se kjo është çështje e cila i takon këshillit.
“Do duhet pas diskutimit në këshill që të bisedojmë. Për momentin ne buxhetin të cilin e kemi parashtruar në këshill është buxhet, them i vitit të krizës me të cilin ne ballafaqohemi. Për atë çështje unë do kisha dashur të flas pas diskutimit dhe miratimit të buxhetit”, tha Bilall Kasami.
Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës deri tani ka mbajtur tre mbledhje, ndërsa e katërta njëherit e fundit për këtë vit pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.