Vazhdon të mbetet mister vdekja e 4 shtetasve rusë në resortin në Golem të Kavajës.
Edhe eksperimenti i kryer nga ekspertët e ushtrisë nuk ka mundur që të përcaktojë shkakun e vdekjes. Të gjitha pajisjet e resortit rezultuan me parametra të rregullta, duke hedhur poshtë asfiksimin nga to. Duket se pas këtij ekspertimi hetimet rikthehen në pikën zero pa një pistë konkrete se kush mund të ketë shkaktuar vdekjen e 4 turistëve.
Vdekja e 4 turistëve rusë në një hotel të Kavajës, në Tetor të këtij viti, vijon të mbetet mister.
Instituti i Mjekësisë Ligjore konstatoi më herët se Sergei dhe Ekaterina Burenkova, vajza e tyre, Natalia dhe dhëndri Nikita Beluosov vdiqën për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit.
Për të kuptuar më tej mbi burimin e këtij helmimi, prokuroria e Kavajës ka urdhëruar më herët dy ekspertiza teknike, të cilat kanë nxjerrë se parametrat e pajisjeve të përdorura në pishinën e brendshme të hotel ‘Gloria’ kanë qenë në rregull.
Për të shmangur çdo dyshim të mundshëm, grupi hetimor urdhëroi kryerjen e një ekspertize të tretë, kësaj radhe me ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Këta të fundit shkuan të Premten në ambientet e hotelit, të veshur me uniformë speciale dhe kryen ekspertizën, për të kuptuar nëse monoksidi i karbonit që ka helmuar katër rusët ishte lëshuar si shkak i mosfunksionimit të pajisjeve ngrohëse të pishinës dimërore.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes deklaruan për SYRI TV se edhe ky eksperiment hetimor ka konstatuar se pajisjet kanë funksionuar normalisht.
Sipas të njëjtave burime, akti i eksperimentit hetimor pritet t’i vihet në dispozicion Prokurorisë së Kavajës në fillim të kësaj jave, e cila do ta krahasojë me të dhënat e tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Por, duket qartë që edhe rezultatet e eksperimentit hetimor nuk do të zgjidhin enigmën e vdekjes së menjëhershme të 4 turistëve rusë, mbrëmjen e 15 Tetorit 2021.
Deri më tani dihet vetëm se familja Burenkova kishte ardhur për një udhëtim një-javor në plazhin e Golemit në Kavajë, si pjesë e një grupi turistik.
Shoqëruesit dhe bashkudhëtarët e tyre nuk kanë konstatuar asnjë lloj problematike në sjelljen e 4 turistëve deri pak orë para vdekjes së tyre.
Disa nga pistat paraprake të vdekjes së tyre ishin helmimi nga ushqimi apo përdorimi i lëndëve narkotike. Por, këto dyshime paraprake u rrëzuan menjëherë nga autopsia dhe më tej ekspertiza e mjekësisë ligjore.
Një pistë tjetër, ajo e helmimit nga gazi i lëshuar nga pajisjet ngrohëse të pishinës dimësore të hotelit, duket se nuk po gjen mbështetje në aktet e ekspertimit teknik, por edhe nga eksperimenti hetimor i zhvilluar nga ekspertët e Ushtrisë.
Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës po vijon hetimet për ‘vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj 4 personave, vepër të cilën e ka regjistruar që në momentin e parë të njoftimit të ngjarjes.