Ballina Aktualitet U miratua buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2022, Kasami: Ky...

U miratua buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2022, Kasami: Ky është buxhet krize (VIDEO)

Me 18 vota për Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e katërt e miratoi propozim-buxhetin e komunës për vitin 2022. Buxheti për këtë vit është 26 milionë euro ndërsa deficiti është mbi 500 mijë euro. Sipas kryetarit të komunës, Bilall Kasami, ky është një buxhet krize pasi i njëjti është i përcaktuar në korniza ligjore që nënkupton mesataren e realizimit të tre viteve të fundit. Nga grupi i këshilltarëve të BDI-së thonë se buxheti është më shumë shpenzues se sa buxhet ekonomik kurse nga nisma”Më mirë për Tetovën” shprehen se propozuan zvogëlimin e shpenzimeve të panevojshme, shkruan Portalb.mk.

Në buxhetin e vitit 2022 parashihen:

  • Të hyra të përgjithshme: 1.623.769.898 denarë
  • Të dalat e përgjithshme: 1.656.826.826 denarë
  • Deficiti: 33.056.928 denarë
  • Financimi: 33.056.928 denarë

“Për vitin 2022 të hyrat e përgjithshme i kemi paraparë në vlerë prej 1.623.769.898 denarë ndërsa të dalat janë të parapara në 1.656.826.826 denarë, ku kemi një diferencë prej 33.056.928 denarë që domethënë është deficit, këtë parashohim ta mbulojmë me kredi në vlerë prej 2.320.300 denarë si dhe nga depozita, bartja e nga viti paraprak në shumë prej 9.440.492 denarë. Shuma që i ceka është buxheti total, për tu ndarë buxheti i mjeteve vetanake apo buxheti vetëfinancues i komunës është në vlerë prej 356.707.225 dhe në përgjithësi pragu i lejuar nga ministria duke hyrë edhe bllok dotacioni për TVSH në shumë prej 82.128.257 denarë, domethënë këtë bllok dotacion Qeveria do e ndajë për Komunën e Tetovës për vitin 2022”, tha udhëheqësi i Sektorit për Financa në Komunën e Tetovës, Festim Zeqiri.

Ai shtoi se  pragu dhe planifikimi i buxhetit bazë për 2022 është 461.230.749 denarë.

“Mjetet vetë-financuese që kryesisht janë nga çerdhet dhe shkollat fillore dhe të mesme janë në vlerë prej 44.435.769 denarë. Të hyrat nga dotacionet shkollat fillore, të mesme, çerdhja, njësia për zjarrfikës kap shifrën prej 1.023.000.782 denarë, të hyrat nga donacionet gjegjësisht dhe planifikimi për realizimin e të njëjtave kap vlerën prej 103.761.872 denarë. Ndërsa kredia është 28.302.300 denarë, këtu vlen të ceket se nuk është për aplikim kredi i ri, por është vazhdimësi të cilën ne e kemi marrë nga Ministria e Financave dhe ka ngelur kjo shumë të cilën patjetër duhet ta shfrytëzojmë për vitin 2022”, shtoi Zeqiri.

Për të parin e komunës, ky është buxhet krize sepse nuk reflekton përcaktimin tij programor sa i përket projekteve dhe asaj të cilën e ka premtuar.

“Është një buxhet i cili fillimisht është i përcaktuar nga ligji, që nënkupton mesataren e realizimit të tre viteve të fundit, një mesatare e cila ka qenë katastrofike në periudhën e kaluar. Ky është një buxhet për funksionim normal të aktiviteteve të përditshme të Komunës dhe në një pjesë shumë të vogël për investime kapitale. Ne dje patëm debat publik me qytetarët ku morëm shumë sugjerime të cilat premtuam se do të inkorporohen në rebalancin e parë që do të realizohet brenda vitit 2022, ku ne vlerësojmë se do të përmirësohet vjelja e të hyrave buxhetore me çka do të kemi mundësi që të realizojmë më shumë projekte kapitale. Pra ky buxhet është buxhet krize në të cilën ne e kemi gjetur Komunën e Tetovës dhe ky buxhet nuk reflekton përcaktimin programor”, tha Bilall Kasami.

Rushadije Ramani Halili: BDI votoi e përmbajtur sepse nuk u respektua afati kohor

Këshilltarja nga BDI, Rushadije Ramani Halili tha se votuan të përmbajtur pasi së pari nuk u respektua afati kohor për dorëzimin e materialeve deri te këshilltarët, materialet e buxhetit u përcollën 15 ditë përpara dhe siç thotë ajo programi u është përcjellë dy ditë përpara seancës kryesore.

“E dimë se pjesa më e madhe e këshilltarëve janë për herë të parë në këshillin e tashëm komunal dhe kanë shumë pak njohuri, e kanë të vështirë ta lexojnë buxhetin. Pastaj sa e shohim në përgjithësi, sa i përket përpilimit të buxhetit aty shohim vetëm se në pjesën që ka të bëjë me arsimin fillor, të mesëm, parashkollor, vetëm ato janë të planifikuara dhe të përpiluara do të thotë si duhet, ndërkaq te pjesët tjera shohim se buxheti është më shumë shpenzues se sa buxhet ekonomik. Shohim se humbasim në pjesën kapitale për të mbuluar shpenzimet rrjedhëse që nuk është një gjë e mirë kjo të bëhet”, tha Ramani Halili.

Në debatin e zhvilluar sot, Kasami tha se në vitin e ardhshëm do të bëhet edhe rebalanci i buxhetit. Por, për këtë këshilltarja Halili tha se në bazë të asaj që sheh në buxhet, mendon se këtë buxhet edhe janari nuk do e mbërrijë për rebalanc.

“Do të ketë nevojë që në janar të bëhet rebalanci i buxhetit edhe mendoj se do të kemi kërkesat tona por sa do të kyçen ato kërkesa do të shohim në të ardhmen kur do ti paraqesim këto kërkesa”, tha Halili.

Nga lista “Më mirë për Tetovën”  u shprehen se e në përpilimin e buxhetit propozuan zvogëlimin e harxhimeve të panevojshme dhe ridestinimin e mjeteve për projekte që janë në interes për qytetarët.

Ndryshe në këtë seancë në rend të ditës kaluan edhe këto pika: Miratimi i procesverbaleve të tre seancave paraprake, propozim-vendimi për realizimin e buxhetit të Komunës së Tetovës, propozim-programi për punën e këshillit të Komunës, propozim-vendimi për pranim të donacionit nga UNDP, propozim-plan programi financiar i NP “Parkingu i Qytetit”, propozim-ndryshim dhe plotësim të çmimores për përcaktimin e shumës së kompensimit për shërbimin e parkingjeve, propozim-programe për aktivitete nga sfera të ndryshme.

Seanca nuk përfundoi sot. Ajo zgjati më shumë se pesë orë, dhe e njëjta do të vazhdojë ditën e enjte në ora 10. Për tu diskutuar kanë ngelur disa pika tjera, edhe atë: propozim-programi i aktiviteteve të komunës së Tetovës në fushën e sportit, propozim-program për aktivitetet e Komunës së Tetovës në fushën e mbrojtjes sociale, propozim programi për vendosjen e pajisjeve urbane, propozim-vendim për qentë endacak, propozim-program për dezinfektimin e Tetovës, propoyim-program në sferën e zhvillimit ekonomik lokal si dhe propozim-program për aktivitetet nga sfera e mbrojtjes së ambientit jetësor dhe natyrës.

Rikujtojmë që borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës është mbi 24 milion euro, prej të cilave Komuna ka mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.