Nga Gideon Rachman, Financial Times
Privilegji i të bardhëve, racizëm institucional, paragjykim i pavetëdijshëm, politikë e identitetit. Këto terma janë bërë sot simboli i debatit politik në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Por raca nuk është vetëm një çështje e brendshme.
Në një kohë kur fuqia globale po zhvendoset, argumentet rreth barazisë racore po bëhen gjithashtu pjesë e luftës gjeopolitike. Të renditur sipas fuqisë blerëse, tani ekonomitë më të mëdha në botë janë Kina, SHBA-ja, India, Japonia dhe Gjermania.
Por institucionet më të rëndësishme politike në botë, pasqyrojnë ende ekuilibrin politik dhe ekonomik të pushtetit të vitit 1945. Pesë anëtarët e përhershëm, me të drejtën e vetos, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së janë SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca.
Fakti që katër nga “pesëshja e përhershme” janë vende të banuara kryesisht nga të bardhët përfaqëson pa dyshim një formë ndërkombëtare të “privilegjit të të bardhëve”, të trashëguar që nga epoka e perandorive koloniale.
Dhe kjo skemë duket sot e paqëndrueshme në kushtet kur afro 5.8 miliardë njerëz të një popullsie globale prej rreth 7.6 miliardë njerëzish jetojnë në Azi dhe Afrikë. Megjithatë Kina është një nga pesë të privilegjuarat, dhe ky fakt e kufizon oreksin e Pekinit për të nxitur reformimin e strukturave drejtuese në OKB.
Ideja që India dhe Japonia të kenë një vend të përhershëm në tryezën më kryesore të botës, nuk do të ishte shumë e mirëpritur në Pekin. Rivalitetet rajonale – midis Nigerisë dhe Afrikës së Jugut, apo midis Meksikës dhe Brazilit – kanë ndihmuar gjithashtu në ngadalësimin e impulsit për reforma në OKB.
Gjithsesi, debatet rreth racës po bëhen pjesë e garës midis SHBA-së dhe Kinës. E zemëruar nga kritikat në rritje të Perëndimit për trajtimin që po u bën ujgurëve myslimanë dhe pakicave të tjera në Xinjiang, qeveria kineze është përpjekur të mos ua lërë mangut, duke i kujtuar keqtrajtimin historik që SHBA-ja dhe Australia u kanë bërë popujve indigjenë, dhe historitë e zymta koloniale të fuqive evropiane.
Tensionet aktuale racore në Amerikë,i japin gjithashtu Pekinit argumente shtesë për të kundërsulmuar. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Lijian Zhao, shkroi së fundmi në Twitter se SHBA dhe aleatët e saj “nuk kanë tagrin t’i bëjnë moral Kinës, kur kaq shumë jetë njerëzish po humbin nga Covid-19, ndërsa njerëz si George Floyd nuk mund të marrin mëfrymë”.
Global Times, gazeta nacionaliste e Kinës, botoi një artikull ku shprehej se marrëveshja “Pesë Sytë”për ndarjen e informacioneve të inteligjencës midis SHBA-së, Britanisë së Madhe, Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re është një “aks i epërsisë së bardhë”.
Me një ton disi më pozitiv, qeveria kineze ka synuar të ndërtojë aleanca në Afrikë, duke argumentuar se Kina dhe kombet afrikane janë të lidhura nga një luftë e përbashkët kundër kolonializmit.
Argumentet anti-koloniale, janë gjithashtu pjesë e diskursit të politikës së jashtme të Indisë. Kur një grup deputetësh britanikë ngritën së fundmi zërin mbi protestat e fermerëve në Indi, qeveria indiane e thirri ambasadorin britanik në shenjë proteste. Në një artikull në gazetën Kanwal Sibal, ish-kreu i ministrisë së Jashtme te Indisë, e akuzoi Britaninë se “i ka mbetur ora në mendësinë e saj kolonialiste”.
Por argumenti anti-racizëm rrjedh në të dyja drejtimet. Qeveria e partisë Bharatiya Janata në Nju Delhi, akuzohet shpesh për favorizimin e hindusëve të Indisë në kurriz të pakicës myslimane të vendit. Kritikët e qeverisë kineze, akuzojnë Pekinin se qasja e tij ndaj Xinjiangut,i ka rrënjët tek një formë të nacionalizmit etnik, që synon të imponojë kulturën Han në të gjithë Kinën.
Ndonjëherë duket sikur Kina i trajton kinezët etnikë jashtë vendit si pjesë e një komuniteti më të madh Han,dhe të cilët i detyrohen një farë besnikërie Pekinit, pavarësisht nga kombësia e tyre. Pavarësisht trazirave të dukshme mbi marrëdhëniet ndër-racore në SHBA, disa analistë të politikës së jashtme, argumentojnë se tek e fundit Perëndimi do të zbulojë se larmia e vet racore është një burim i forcës në çështjet ndërkombëtare.
Anne-Marie Slaughter, drejtuese e “New America”, një think-tank me ndikim në SHBA, thotë se anti-racizmi duhet të përfshihet në mënyrë më sistematike në politikë-bërjen e politikës së jashtme amerikane. Ajo mendon se një institucion i politikës së jashtme që nuk është i dominuar nga burrat e bardhë, mund të fokusohet më pak tek rivaliteti mes fuqive të mëdha, dhe më shumë tek çështjet e barazisë globale, si për shembull shpërndarja e barabartë e vaksinave kundër Covid-19.
Nëse Amerika do të perceptohej ndonjëherë si një kampione e vërtetë globale për barazinë racore, ajo mund të kishte përfitime edhe në betejën ndërkombëtare përballë Kinës për zemrat dhe mendjet e njerëzve në rajon. Synimi afatgjatë, do të ishte krahasimi i një SHBA-je multikulturore me një Kinë etnocentrike.
Por debati nuk ka gjasa që të jetë aq i drejtpërdrejtë. Promovimi global i ideve amerikane mbi barazinë racore, nuk është gjithnjë mënyra më e mirë për të fituar miq jashtë shtetit. Edhe disa aleatë të SHBA-së e konsiderojnë atë si një formë të re të imperializmit kulturor amerikan.
Presidenti francez Emmanuel Macron, është ankuar se një ideologji e huaj e identitetit të grupit po importohet në Francë nga universitetet amerikane, duke shkelur kësisoj traditën republikane të Francës, gjë që sipas tij minimizon identitetet raciale dhe thekson shtetësinë e përbashkët.
Theksi aktual mbi politikën racore, si në SHBA ashtu edhe në botën e gjerë, nuk ka gjasa që të kalojë shpejt. Ndërsa rritja e interesit mbi të u nxit nga ngjarje të papritura, siç ishte vrasja e Floyd, dhe mbështetja për lëvizjen Black Lives Matter, në lojë janë forca më të thella strukturore.
Ndryshimi i demografisë, dhe përqendrimet e reja të pasurisë, janë bërë shumë sfiduese ndaj strukturave të pushtetit që dikur dukeshin në pozita shumë të forta. Dhe ndërsa po ndodh kjo gjë, ka të ngjarë të intensifikohet debati global rreth drejtësisë racore. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al