Një grua ukrainase, pasi është përballur me një ushtar rus të armatosur rëndë, i ka ofruar këtij të fundit fara luledielli, në mënyrë që ato të lulëzojnë kur ai të vdesë.
Pamja është kapur nga kamera.
Ukrainasja shfaq zemërimin e saj, ndërsa e revoltuar pyet ushtarët: “Kush jeni ju?”
Ushtari, i cili qëndron në rrugë, i thotë: “Kemi ushtrime këtu, ju lutem kaloni në këtë rrugë”.
Pasi pyeti nëse ata janë rusë, ajo thotë: “Pra, çfarë po bëni këtu?!”.
Ndërsa ushtarët përpiqeshin ta qetësonin, gruaja iu kundërpërgjigj, duke u thënë se: “Ju jeni okupatorë, ju jeni fashistë! Çfarë po bëni në tokën tonë me gjithë këto armë?”
Ajo vazhdon diskutimin, duke i ofruar atij farat e lulediellit, që është lulja kombëtare e Ukrainës.
“Merrini këto fara dhe vendosini në xhepat tuaj, kështu që të paktën luledielli të rriten kur të shtriheni të gjithë këtu”.
Videoja u shpërnda në internet nga Internews Ukraine, organizatë e pavarur mediatike me qendër në Kiev.
Që atëherë ajo është bërë virale në rrjetet sociale me më shumë se dy milionë shikime, dhe ka shkaktuar një vërshim komentesh emocionale.