Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të marrë drejtimin e Bankës Qendrore të Norvegjisë. Vendimin e bëri të ditur qeveria e këtij shteti, pavarësisht shqetësimeve të opozitës se emërimi i ish-kryeministrit mund të dobësojë pavarësinë e “Norges Bank”.
Megjithatë Stoltenberg nuk do ta braktisë Aleancën e Atlantikut të Veriut pasi do ta respektojë mandatin si Sekretar i Përgjithshëm deri më 30 shtator të këtij viti. Banka Qendrore e Norvegjisë tha se pret që guvernatori i ri të nisë punën më 1 shtator të këtij viti. Stoltenberg do të jetë përgjegjës për caktimin e normave të interesit dhe menaxhimin e stabilitetit financiar si dhe mbikëqyrjen e Fondit Sovran të Norvegjisë, më i madhi në botë me asete prej 1,4 trilionë dollarë.
Ky emërim i jep fund spekulimeve se Stoltenberg do të shërbente dhe për një mandat tjetër në drejtim të NATO-s. Tani Aleancës ushtarake i duhet të kërkojë një kandidat potencial për zëvendësimin e tij.