Aziz Behluli dhe Ismet Shala, nga Kosova, të martën e 8 marsit kanë vendosur ta kalojnë kufirin nga Polonia për në Ukrainë për të luftuar përkrah luftëtarëve ukrainas kundër atyre rusë.
Në një prononcim për mediumin Kanal 10, Behluli dhe Shala treguan arsyet se pse dëshirojnë t’u bashkohën civilëve të armatosur ukrainas.
“Arsyet janë thjesht humane, na kanë prekur shumë pamjet”, tha Behluli.
Ndërkaq, Shala tha se kanë vetëm një qëllim, që të solidarizohen me këtë popull.
“Qysh dihet si krejt shtetet e Bashkimit Evropian e kanë përkrahur këtë luftë, po kemi dëshirë me u solidarizu edhe ne. Rusinë e kemi armik të përbashkët, po ashtu edhe Ukraina ndoshta do të lëvizë do të na përkrahë si shtet”, u shpreh ai.
Atë çfarë kanë parë në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës, dy kosovarët që jetojnë në diasporë, thonë se ua kujtoi Kosovën gjatë vitit 1998-1999.
Sa i përket aftësive të tyre luftarake, thanë se kanë pak.
“Kemi disa përvoja, pak, unë kam qëndruar gjatë luftës në Kosovë, nuk kam qenë në luftë, por kam qëndruar aty gjatë luftës, pastaj kam kryer ushtrinë në ish-Jugosllavi”, deklaroi Behluli.
“Dihet si lufta në Kosovë që e kemi përjetuar, pamjet flasin vetë, fëmijë e gra duke ikur, por burra nuk shihen asnjë dhe është ai motivi të këqyrim edhe ne çka, tek, qysh po kalojmë bile të paktën me u solidarizu me civilët e Ukrainës”.
Të dy u shprehn se nuk mendojnë që mund të jetë edhe Kosova në rrezik nga konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Nuk besoj, pasi kemi NATO, KFOR-in”.
Ndër të tjera, shprehen gatishmërinë për të luftuar.
“Patjetër që do të luftojmë, jemi të gatshëm të qëndrojmë sa të ketë nevojë”./Albanianpost.com