Ballina Aktualitet Kultura ILUMINIZMI NË HOLANDË, NË ITALI, NË FRANCË DHE NË GJERMANI 

ILUMINIZMI NË HOLANDË, NË ITALI, NË FRANCË DHE NË GJERMANI 

Nga Xhelal Zejneli

Iluminizmi në Holandë u zhvillua gjatë epokës së artë holandeze. Në Holandë lulëzuan shkenca, arti, filozofia dhe zhvillimi ekonomik. Arritjet e asaj epoke do të ndikojnë fuqishëm në formimin e qytetërimit perëndimor. Personalitete kryesore të iluminizmit holandez ishin filozofi, matematikani dhe fizikani francez, krijues i shprehjes Cogito, ergo sum (Mendoj, ndaj ekzistoj), Rene Dekart (Cartesius Renatus/René Descartes, 1596-1650), filozofi holandez me prejardhje nga një familje hebraike, e ardhur në Holandë nga Portugalia, Baruh de Spinoza (Baruch de Spinoza Bendictus, 1632-1677) i cili shkroi për panteizmin dhe për filozofinë e materies si kritikë e Dualizmit kartezian; filozofi dhe iluministi francez Pjerë Bejli (Pierre Bayle, 1647-1706), i cili angazhohej për ndarjen e shkencës nga religjioni; astronomi amator nga Frizia, ndërtues i planetariumit të parë Ajze Eisinga (Eise Jeltes Eisinga, 1744-1828); mendimtari radikal holandez i cili pohonte se Bibla është e errët dhe e dyshimtë Lodevijk Majer (Lodewijk Meyer, 1629-1681); mendimtari holandez, kritik i religjionit dhe i moralit konvencional Adrian Koerbag (Adrian Koerbagh, 1632-1669); dhe natyralisti holandez Burhard de Volder (Burchard de Volder, 1643-1709).

Shënim: Rene Dekarti (Cartesius Renatus/René Descartes) udhëton në Holandë, në Gjermani, në Zvicër dhe në Itali, duke studiuar “librin e madh të botës”. Ishte i dëshpëruar nga mësimi skolastik. Theksonte nevojën për një reformë rrënjësore të të gjitha fushave të shkencës. Më 1629 u vendos në Holandë ku gjenin strehim nga përndjekja shumë dijetarë përparimtarë. Më 1647, përhapja e kartezianizmit u ndalua edhe në Holandë. Veprat e Dekartit u dënuan me djegie publike. Me ftesë të mbretëreshës së Suedisë, Kristina (1626-1689), shkon në Stokholm, ku edhe vdes.   

Skolastika – greqisht: schole – shkollë; filozofi e mesjetës. Është filozofi në shërbim të teologjisë; mësim kishtar. Skolastika synon të themelojë dhe të forcojë një pikëpamje mbi botën në vështrim të mësimit kishtar.    

Pjerë Bejli (Pierre Bayle) ishte profesor i filozofisë në Universitetin e Sedanit. Për shkak të antidogmatizmit dhe qëndrimeve skeptike ndaj doktrinës krishtere, e larguan nga universiteti. Emigroi në Holandë ku u bë profesor i filozofisë në Roterdam. Edhe prej këtu e dëbuan, por tani, teologët protestantë. Vepra e tij “Fjalor historik dhe kritik” shënon fillimin e epokës së iluminizmit. Bejli është një prej paraardhësve të enciklopedistëve francezë. Bejli shënon fillimin e një epoke të re – të epokës e cila në piedestalin e vlerës më të lartë e vë arsyen.   

*   *   *

Iluminizmit në Greqi i dhanë një shtytje të rëndësishme tregtarët grekë të kamur në qytetet e mëdha të Perandorisë Otomane. Qendrat më të rëndësishme të mësimit, të shkollave dhe të universiteteve greke kanë qenë në Janinë, në Kios, në Smirnë (Izmir) dhe në Ajvallëk (Ayvalik). Përhapja e ideve të iluminizmit në mendimin kolektiv grek, ndikoi edhe në zhvillimin e vetëdijes kombëtare. Publikimi i revistës “Hermes o Logios” i forcoi idetë e iluminizmit. Qëllimi i kësaj reviste ishte forcimi i shkencës, i filozofisë dhe i kulturës greke. Dy figurat e rëndësishme të iluminizmit grek, Rigas Feraios (1757 – atentat në Beograd, 1789) dhe Adamntios Korais (Smirna/Izmir, Turqi, 1748 – Paris, 1833) i trimëronin nacionalistët grekë për të pranuar mendimin politik modern.

Shënim: Rigas Feraios (emri i vërtetë Rigas Velestinlis, Andonios Kiriaziai, 1757 – Beograd, 24.06.1798) – revolucionar grek, poet dhe hero kombëtar grek, veprimtar në kohën e iluminizmit bashkëkohor, prijës dhe viktimë e parë e kryengritjes greke kundër Perandorisë Osmane. Autoritetet austriake që në atë kohë ishin aleatë të Perandorisë Osmane, e arrestojnë në Trieste dhe ua dorëzojnë administruesve turq të Beogradit. Këta e mbytin në banjën Nebojsha të Beogradit, bashkë me pesë bashkëpunëtorët e tij. Kufomat i hedhin në Danub. 

*   *  *

Iluminizmi italian – Gjatë epokës së iluminizmit, në Itali u bënë ndryshime të mëdha. Kjo ndikoi edhe në filozofinë italiane. Mendimtarët e ndritur shpesh tuboheshin nëpër sallonet private dhe nëpër kafehane ku organizonin debate. Më së shumti tuboheshin në Milano, Torino dhe në Venecie. Qytetet me universitete të rëndësishme si Padova, Bolonja, Napoli dhe Roma ishin qendra të mëdha të arsimimit, me intelektualët e shquar siç ishin filozofi dhe shkrimtari italian Xhambatista Viko (Giambattista Vico, 1668-1744) dhe filozofi e ekonomisti italian, nxënës i Vikos, Antonio Xhenovezi (Antonio Genovesi, 1713-1769). Gjatë iluminizmit, pjesë të caktuara të shoqërisë italiane u ndryshuan në mënyrë dramatike. Për shembull, Leopoldi II, Duka i Madh i Toskanës (1797-1870) e hoqi në Toskanë dënimin me vdekje. Ndikimi i kishës u zvogëlua dukshëm, gjë që rezultoi me një zhvillim intelektual të fuqishëm dhe me shpikje.   Fizikani italian, shpikës i baterisë së parë elektrike Aleksandër Volta (Alessandro Guiseppe Antonio Anastasio Volta, 1745-1827) dhe fizikani, biologu e filozofi italian, shpikës i elektricitetit te kafshët, pionier i bio-elektromagnetizmit Luixhi Galvani (Luigi Galvani) bënë zbulime të reja, duke i kontribuar me të madhe shkencës së Perëndimit. Një ri prej figurave më të njohur italianë të iluminizmit, kriminalisti, juristi, filozofi, ekonomisti dhe politikani   Cezare Bekaria (Cesare Bonesana Beccaria, 1738-1794) njihet për veprën kapitale “Për krimet dhe ndëshkimet” (Dei delitti e delle pene / On crimes and Punishments, 1764), më vonë të përkthyer në 22 gjuhë. Në këtë traktat ai dënon torturën ndaj të burgosurve dhe dënimin me vdekje. Është vepër themelore në lëmin e penologjisë – shkencës që studion ndikimin e dënimit te të dënuarit. Intelektual tjetër i shquar ka qenë edhe filozofi dhe shkrimtari politik Fraçesko Mario Pagano (Francesco Mario Pagano1748-1800). Është autor i studimit “Ese politike” (Saggi Politici, 1783) apo “Vështrime politike mbi parimet, përparimin dhe dekandencën e shoqërisë”, që konsiderohet si një prej veprave më të rëndësishme të iluminizmit në Napoli si dhe i studimit “Vështrime mbi procesin kriminal” (Considerazioni sul processo criminale, 17878). Me studimet e sipërthënë, Mario Pagano është ngritur në statusin e autoritetit ndërkombëtar në të drejtën kriminale.  

*   *   * 

Iluminizmi francez – Kah mesi i shekullit XVIII, Parisi u bë qendër e shpërthimit të vërtetë të veprimtarisë filozofike dhe shkencore e cila i sfidonte doktrinat dhe dogmat tradicionale. Historianët francezë këtë periudhë, të quajtur shekull i iluminizmit (Siècle des Lumières ) rëndom e vendosin midis viteve 1715-1789, që nga fillimi i sundimit të Luigjit XV  deri në Revolucion francez (1879). 

Shënim: Luigji XV (1710-1774) mbretëroi në vitet 1715-1774. Ishte stërnip dhe pasardhës i Luigjit XIV (1638-1715).

*   *   * 

Lëvizja filozofike e udhëhequr nga shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez Volter (emri i vërtetë Françoi Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) dhe nga filozofi e shkrimtari francez Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778), në bazë të parimit se shoqëria duhet të bazohet në arsye dhe jo në religjion e në doktrinën katolike, u angazhua për vendosjen e rendit të ri qytetar të bazuar në ligjin natyror dhe në shkencën e bazuar në eksperimente dhe në argumente. Juristi, sociologu, mendimtari politik dhe filozofi francez Sharlë dë Monteskjë (Charles Louis de Secondat Montesquieu, 1689-1755), në qeverisjen e shtetit solli idenë e ndarjes së pushtetit, koncept që e pritën me entuziazëm autorët e Kushtetutës së ShBA-së. Edhe pse mendimtarët e iluminizmit francez nuk ishin revolucionarë, madje shumë prej tyre ishin pjesëtarë të fisnikërisë apo të bujarisë, megjithëkëtë idetë e tyre luajtën një rol të madh në rrënimin e legjitimitetit të rendit të vjetër dhe në projektimin e Revolucionit francez. Pjesa më e madhe e veprimtarisë shkencore u zhvillua në Luvrë (Louvre), ku ndodhet Akademia Franceze e Shkencave, e themeluar në vitin 1666. Akademia kishte seksione për gjeometri, astronomi, mekanikë, anatomi, kimi dhe botanikë. Gjatë sundimit të Luigjit XVI (1754-1793), i cili mbretëroi në vitet 1774-1792, Akademisë iu shtuan edhe seksionet për fizikë, natyralizëm dhe mineralogji. Në matematikë dhe në astronomi, shkencëtarët francezë ishin në të njëjtin nivel me ata të Britanisë, ndërsa në kimi dhe në natyrizëm ishin para tyre. Biologu dhe natyralisti Zhozh-Lui Leklerk, Kont i Byfonit (Georges-Louis Leclerc, Conte de Buffon, 1707-1788) e administronte kopshtin botanik Jardin des Plantes të cilin e bëri qendër kryesore të kërkimeve në botanikë. Matematikani dhe astronomi italian, francez i natyralizuar Zhozef-Luis Lagranzh (Joseph-Louis Legrange / Guiseppe Luigi Lagrange, Toronto, Itali, 1736 – Paris, 1813), matematikani Zhan-Sharlë dë Borda (Jean-Charles de Borda, 1733-1799) dhe matematikani Pjerë-Simon Laplas (Pierre-Simon Laplace, 1749-1827), botanisti Rene Luish Defonten (René Louiche Desfontaines, 1750-1833), kimistët Klodë Luis Bertole (Clode Louis Berthollet, 1748-1822), Antuan Fransua, Kont i Furkrua-s (Antoine François, Comte de Fourcroy, 1755-1809) dhe Antuan Lavuazje (Antoine-Laurent Lavoisier, 1743-1794) i dhanë një ndihmesë të konsiderueshme revolucionit shkencor në Paris. 

Botuesit e librave në Paris, me veprimtarinë e vet përhapën në mbarë Evropën idealet dhe zbulimet e reja të asaj periudhe. Në vitet 1720-1780, u dyfishua numri i librave për shkencë dhe arte, që u botuan në Paris. Në të njëjtën kohë, numri i librave mbi religjionin ra në një të dhjetën e numrit të përgjithshëm të librave të botuar.

Filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784) dhe filozofi, fizikani dhe matematikani francez d’Alamber (Jean le Rond d’Alembert, 1717-1783), në periudhën e viteve 1751-1766 botuan në shtatëmbëdhjetë vëllime Enciklopedinë (Encyclopedie). Kjo u mundësoi intelektualëve anembanë Evropës një pasqyrë cilësie të lartë të njohurive njerëzore. Shkencëtarët e mbarë Evropës dhe të ShBA-së, vinin në Paris për të shkëmbyer ide. Për shembull shtetari, shpikësi dhe shkencëtari amerikan Benxhemin Franklin (Benjamin Franklin, 1706-1790) erdhi në Paris për t’u njohur me Volterin (Voltaire) dhe për t’i treguar eksperimentet e veta me elektricitetin

Shënim: d’Alamberi (d’Alembert) kishte prirje të rrallë për matematikë. Për këtë arsye, në moshën 23-vjeçare e pranuan si anëtar të Akademisë Franceze të Shkencave. 

*   *   *

Disa nga shpikjet e dijetarëve të Parisit, sidomos në lëmin e kimisë, shpejt hynë në përdorim praktik. Eksperimentet e kimistit Antuan Lavuazje (Antoine Lavoisier) gjetën zbatim në krijimin e impianteve të para moderne për kimi në Paris. Prodhimi i hidrogjenit u mundësoi vëllezërve Zhozef-Mishel Montgolfie (Joseph-Michel Montgolfier, 1740-1810) dhe Zhak-Etjen Montgolfie (Zhak-Ḗtienne Montgolfier) realizojnë fluturimin e parë të njeriut me balonë, më 21 nëntor 1873, nga kështjella Shato dë la Myet (Chateau de la Muette) në afërsi të parkut Bua dë Bolonjë (Bois de Bologne). Vëllezërit Montgolfie (Montgolfier) ishin pionierë të aviacionit.                                

*   *   *

Prusia dhe shtetet gjermane – Lëvizja gjermane e iluminizmit, deri kah mesi i shekullit XVIII u zhvillua si forcë intelektuale në muzikë, në shkencë dhe në letërsi. Frederiku II, I Madh (1712-1786), mbret i Prusisë në vitet 1740-1786, e shihte veten si prijatar i iluminizmit. Nën patronazhin e tij, në oborrin në Berlin, vepruan shumë filozofë dhe shkencëtarë. Ishte i entuziazmuar nga klasicizmi francez dhe e kritikonte kulturën gjermane. Ishte i vetëdijshëm  për përparimin e rëndësishëm që sillte ai. Volteri, të cilin pushteti francez e privoi nga liria dhe e shpërfillte, me dëshirë e pranonte ftesën e Frederikut II, I Madh, për të jetuar në oborrin e tij. Frederiku II, I Madh thoshte: “Preokupimi im kryesor është lufta kundër padijes dhe paragjykimeve… preokupimi im është ndritja e mendjeve, kultivimi i moralit dhe si t’i bëjmë njerëzit sa më të lumtur në përputhje me natyrën njerëzore, aq sa kam mundësi për një gjë të tillë”. Synimet e tilla i mbështetnin edhe sundimtarët e tjerë, si Karl Frederiku i Badenit (Karl Friedrich von Baden, 1728-1811), i cili sundoi në Baden 73 vjet, në vitet 1738-1811. Shkrimtari Kristian Volf (Christian Wolff, 1679-1754) ishte i pari që ua paraqiti iluminizmin lexuesve gjermanë. E legjitimoi gjuhën gjermane si gjuhë të filozofisë. Shkrimtari dhe filozofi gjerman Johan Gotfrid Herder (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) çeli fusha të reja në filozofi dhe në poezi, sidomos me lëvizjen e proto-romantizmit, Sturm und Drang (Stuhi dhe Vrull). Klasicizmi i Vajmarit (Weimarer Klassik) ishte një lëvizje kulturore dhe letrare e themeluar në Vajmar (Weimar). Kjo lëvizje synonte që me sintezën e ideve të romantizmit, të klasicizmit dhe të iluminizmit, të krijohet një humanizëm i ri. Lëvizja u shtri në vitet 1772-1805. Përpos Herderit, në lëvizje merrnin pjesë edhe shkrimtari gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832), si dhe dramaturgu, poeti dhe eseisti Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805). 

Herderi pohonte se çdo popull e ka identitetin e vet të veçantë, që shprehet nëpërmjet gjuhës dhe kulturës. Kjo i dha legjitimitet nxitjes së gjuhës dhe të kulturës gjermane dhe e lehtësoi projektimin dhe zhvillimin e nacionalizmit gjerman. 

Veprat e Shilerit shprehnin frymën e trazuar të brezit të tij, duke pasqyruar luftën heroike të individëve kundër trysnive shoqërore dhe forcave të fatit. 

Muzika gjermane, nën sponsorimin e shtresave të larta të shoqërisë, u ngrit me kompozitorët si Karl Filip Emanuel Bah (Carl Philipp Emanuel Bach, 1714-1788), Jozef Hajdën (Joseph Haydn, 1732-1809) dhe Volfgang Amadeus Mocart (Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791). 

Në Kënigsbergun (Königsberg) e largët, filozofi gjerman Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804) synon të pajtojë racionalizmin dhe besimin religjioz, lirinë e individit dhe autoritetin politik, por nëpërmjet rezonimit privat dhe publik, të ravijëzojë edhe pikëpamjen mbi sferën publike. Vepra e Kantit ngërthen tensione themelore të cilat do të vazhdojnë t’i japin formë mendimit gjerman dhe mbarë filozofisë evropiane deri kah fundi i shekullit XX.  

Iluminizmi gjerman mori mbështetjen e princërve, të aristokratëve dhe të klasës së mesme dhe përgjithmonë i dha formë kulturës së atjeshme.  

*   *   *

Iluminizmi në Poloni u mbërriti më vonë se në Gjermani apo në Austri, kur ndikimi i kulturës së fisnikërisë së atjeshme (sarmatizëm) me sistemin politik polak-lituanez (Liria e artë), ndodhej në krizë të thellë. Iluminizmi polak filloi në periudhën e viteve 1730-1740. Arriti kulmin gjatë sundimit të mbretit të fundit të Polonisë Stanisllav August Poniatovski (Stanislaw August Poniatowski, 1732-1789), në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Nisi të dobësohet me ndarjen e tretë të Polonisë më 1795 dhe përfundoi në vitin 1822, duke u zëvendësuar me romantizmin. Kushtetuta e vitit 1791 i shprehte idealet e iluminizmit por ishte në fuqi vetëm një vit, derisa Poloninë nuk e ndanë kombet fqinje. Disi më afatgjata ishin arritjet në kulturë, që e krijuan frymën e nacionalizmit në Poloni.       

*   *   *

Iluminizmi në Rusi filloi kah mesi i shekullit XVIII, me nxitjen aktive të artit dhe të shkencës nga qeveria. Në atë kohë u hapën universitetet e para, bibliotekat, teatrot, muzetë publike dhe shtypi i pavarur. Sikur absolutistët e tjerë që i kushtonin rëndësi përparimit, edhe Katerina e Madhe (Ekaterina II Veliki, 1729-1796) luajti rolin kryesor në nxitjen e artit, të shkencës dhe të arsimit. Nxiti interpretimi e vet të idealeve të iluminizmit, me këshillat e ekspertëve ndërkombëtarë të rëndësishëm siç ishte Volteri, me të cilin mbante komunikim të shkruar apo letërkëmbim, por edhe të dijetarëve botërorë të njohur që vepronin në Rusi, siç ishin matematikani, fizikani, astronomi, gjeografi zviceran Leonhard Ojler (Leonhard Euler, Bazel, Zvicër, 1707 – Shën-Peterburg, Rusi, 1783), zoologu dhe botanisti prusian Peter Simon Pallas (Berlin, 1741 – Berlin, 1811), akademiku serb dhe rus, reformues i arsimit Teodor Jankoviq-Mirijevski (Sremska-Kamenicë, Serbi, 1741 – Shën-Peterburg, Rusi, 1814) dhe astronomi, matematikani, fizikani finlandez-suedez Anders Johan Leksel (Anders Johan Lexell, Turku, Finlandë, 1740 – Shën-Peterbug, Rusi, 1784). Iluminizmi rus dallohej nga varianti perëndimor për nga fakti se nxiste modernizimi e mëtejmë të të gjitha aspekteve të jetës ruse, me theks të veçantë në luftën kundër bujkrobërisë në Rusi. Historianët sqarojnë se iluminizmi rus është fokusuar tek individi, duke e trimëruar atë që të jetojë një jetë të ndritur. Pra nuk e kanë vënë theksin te ndryshimet shoqërore.       

*   *   *

Mbreti i Spanjës Karli III (1716-1788) i cili mbretëroi në vitet 1759-1788, u përpoq ta shpëtojë mbretërinë e vet nga prapambetja nëpërmjet reformave rrënjësore siç është dobësimi i Kishës dhe i manastireve të saj, nxitja e shkencës dhe e kërkimeve universitare, lehtësimi i tregtisë, modernizimi i bujqësisë dhe shmangia sistematike e hyrjes në luftëra. Nuk ia doli ta kontrollonte deficitin në buxhetin shtetëror dhe gjithnjë më tepër hynte në borxhe. Pas vdekjes së tij, Spanja përsëri filloi të ngecte.  

@tn.lajmelokale
@tetovanews