Ballina Aktualitet Ryshfet për sigurimin e ndihmës sociale për të sëmurët, MPPS nuk përgjigjet,...

Ryshfet për sigurimin e ndihmës sociale për të sëmurët, MPPS nuk përgjigjet, MSh: S’kemi vërejtur parregullësi

Në redaksinë e Portalb-it është denoncuar rasti se persona të caktuar, në këmbim të ryshfetit, sigurojnë ndihmë sociale për personat me nevojë për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër në mënyrë të paligjshme, duke siguruar ndihmë në para edhe për persona që në të vërtetë nuk kanë sëmundje që bie në këtë kategori. Por, ministritë përkatëse, nuk kanë asnjë informacion lidhur me këto akuza, që në periudha të caktuara, kanë qenë më prezente mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. MPPS-ja nuk mori mundimin të përgjigjej, pavarësisht insistimit tonë, duke u shmangur me faktin, se të tilla raste duhet denoncuar në MBP. Herën e fundit ata premtuan një përgjigje, por deri më tani nuk kemi marrë asgjë, shkruan Portalb.mk.

Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë, të pyetur për po të njëjtën pyetje, thanë se është MPPS-ja ajo që zbaton procedurat për vendosjen e ankesave të parashtruara nga palë të pakënaqura. Përveç kësaj, nuk mund që një ministri ta konsdierojë veten jokompetente, për paligjshmëritë që ndodhin brenda institucionit të vet.

“Lidhur me këto komisione, sqarojmë se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me Ligjin për Mbrojtjen Sociale, zbaton procedurë të dyfishtë duke vendosur për ankesat e parashtruara nga palët e pakënaqura, si dhe mundësi shtesë për zhvillimin e kontestit administrativ”, thonë nga MSh.

Lidhur me atë nëse kanë dijeni për informacione të tilla, nga Ministria e Shëndetësisë u përgjigjën se asnjëherë nuk kanë marrë informacion për parregullsi, as raportime konkrete për sjellje korruptive të anëtarëve të komisioneve dhe veprime të ngjashme të kundërligjshme në procedurat e iniciuara pranë organeve tjera kompetente. Ata inkurajojnë qytetarët, që nëse hasin në ndonjë rast të tillë dhe ndonjë qytetar është përballur me veprim të kundërligjshëm, t’i denoncojnë në institucionet kompetente.

Nga kjo Ministri sqarojnë se në vazhdimësi që nga fillimi i punës me 15 dhe tani me 17 komisione ekspertësh për nxjerrjen e konstatimeve, vlerësimeve dhe mendimeve për nevojën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër (i ashtuquajturi “kujdes nga tjetri”) në ISHP-të në vend, monitoron punën dhe ritmin e zbatimit të kërkesave të parashtruara për realizimin e të drejtës së kompensimit për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër me qëllim shfrytëzimin e duhur dhe optimal të komisioneve të ekspertëve dhe marrjen e rezultateve sipas gjendjen reale shëndetësore të parashtruesve të kërkesave.

“Sipas normativës që rregullon këtë çështje dhe e cila është nga fusha e mbrojtjes sociale, komisionet e ekspertëve punojnë konform dispozitave të Ligjit për mbrojtjen sociale dhe Rregullores për mënyrën e ushtrimit të së drejtës në kompensim dhe përkujdesje nga personi tjetër, formularin e kërkesës dhe dokumentacionin e nevojshëm, formularin për mendimin e dhënë nga mjeku i amë për nevojën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, mënyrën e punës së komisionit të ekspertëve, përbërjen dhe mënyrën e punës së komisionit të nivelit të dytë, mënyrën e mbajtjes së evidencave për gjetjet e nxjerra dhe formën dhe përmbajtjen e formularit për dhënien e konstatimit, vlerësimit dhe mendimit për nevojën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, si dhe në përputhje me Kriteret për përcaktimin e nevojës për nxjerrjen e konstatimit, është vlerësuar edhe mendimi për nevojën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Shëndetësisë.

Kompetenca e Ministrisë së Shëndetësisë, thanë ata më tej, sipas ligjit dhe rregulloreve të përmendura, konsiston në përcaktimin e përbashkët të ISHP-ve në të cilat do të formohen dhe punojnë komisionet e ekspertëve, si dhe në lidhje me përcaktimin e përbërjes së komisioneve të ekspertëve dhe monitorimin e punës së tyre nëpërmjet marrjes së raporteve për punën e kryer. Përdorimi i shërbimit të Drejtorisë për shëndetësi elektronike “Termi im” bëhet si pjesë e pandashme e sistemit të caktimit të ekzaminimeve në ISHP-të në të cilat zhvillohet puna e komisioneve të ekspertëve.

“Përveç kësaj, Ministria e Shëndetësisë mbetet në kompetencat e saj për monitorimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, mbikëqyrjen e organizimit dhe funksionimit të ISHP-ve në të cilat punojnë komisionet e ekspertëve, si dhe në kryerjen e monitorimit ekspert. Të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me punën e tyre, formularët e punës, mënyrën e paraqitjes së kërkesave, kualifikimet profesionale të anëtarëve të komisionit, mënyrën e financimit të tyre dhe çështje të ngjashme organizohen nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Mirëpo, bashkëpunimi mes dy ministrive nuk mungon në propozimin dhe marrjen e masave për përmirësimin e punës së këtyre komisioneve të ekspertëve”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, ndihma në para për persona me nevojë për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër nuk kanë marrë para prej shtatë apo tetë muajsh. Shumica e këtyre personave, janë me sëmundje të pashërueshme, që kanë nevojë të vazhdueshme për ndihmë, ilaçe dhe kujdes. Portalb.mk, disa ditë më parë e trajtoi si çështje dhe iu drejtua me pyetje Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, nga ku dhanë një përgjigje jo-konkrete ose informacion të përgjithshëm të gatshëm nga ueb-sajti i kësaj ministrie.

Edhe pse shumica e pacientëve që marrin një ndihmë të tillë kanë sëmundje të rënda, të pashërueshme, si psh skizofreni, sërish, Komisionet në fjalë, vendosin që këtyre pacientëve, t’iu kërkojnë dokumentet më të fundit të kontrollit çdo 6, 12 ose 24 muaj.

Ndër sëmundjet mendore që një pjesë e pacientëve marrin kompensim për ndihmë dhe kujdes janë me skizofreni, e cila ёshtё njё nga sёmundjet mё tё rёnda tё shёndetit mendor. Kostoja emocionale e kёsaj sёmundjeje pёr ata qё e vuajnë dhe familiarёt e tyre ёshtё shumё e lartё. Pesimizmi me tё cilin shumё njerёz tё zakonshёm dhe profesionistё tё shёndetёsisё i afrohen personit qё vuan nga skizofrenia i ngjan ndrojtjes qё shfaqin ndaj pacientёve qё vuajnё me kancer. Dhe megjithatë, pacientë të tillë, ose të afërm që kujdesen për to, duhet që çdo herë të enden institucioneve të MPPS-së.

Përveç kësaj, një problem tjetër që hasin të tillë pacientë është ndërprerja e kompensimit, me muaj të tërë, deri edhe një vit. Së fundmi, prej janarit ose shkurtit të këtij viti, këta pacientë nuk marrin asnjë denar ndihmë që iu takon, pikërisht për shkak se kanë pritur që Komisioni i ekspertëve të vlerësojë gjendjen e tyre, dhe në janar do të merren paratë për muajt paraprak. Por gjatë kësaj periudhe, se me çka të kujdesen dhe si t’i blejnë ilaçet këta pacientëministrisë si duket “nuk i bëhet vonë”.

Ndryshe, raporti i KE-së vlerësoi se ka pasur pak progres në përmirësimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, megjithatë sërish mbeten të diskriminuar.

“Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me diskriminim të konsiderueshëm, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për shkak të barrierave të lidhura me infrastrukturën, mungesës së informacionit dhe shërbimeve, qëndrimeve diskriminuese dhe përjashtimit social. Në vitin 2020, Avokati i Popullit raportoi 37 ankesa për diskriminim ndaj fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara”, thuhet në raport.

Reformat në aspektin e politikës sociale janë të domosdoshme, sidomos tani kur vendi ka bërë një hap para drejt integrieve evropiane.

 

@tn.lajmelokale
@tetovanews