Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për aksidentin e veturës së eskortës së tij rrugës për në Gjilan, të dielën e 11 dhjetorit.
Gjatë fjalimit në komunën e Gjilanit, Kurti ka konfirmuar se nga ky aksident nuk ka të lënduar.
“Kërkojmë falje për vonesën sonte sepse ishim në kampin e Policisë së Kosovës në Belvedere dhe aty qëndruam më gjatë sesa që kishim planifikuar. Ndërkaq teksa vinim në Gjilan automjeti i eskortës tonë teksa ishin mbrapa nesh ka pasur një aksident komunikacioni. Por tani morëm vesh se nuk ka të lënduar, dhe kemi pasur fat në këtë fatkeqësi”, deklaroi Kurti.
Lajmin për këtë aksident e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Si pasojë e këtij aksidenti janë shkaktuar kolona të gjata në magjistralen Prishtinë – Gjilan. Lajmin ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka theksuar se kryeministri Kurti nuk ka qenë në veturën e aksidentuar.
“Rrugës për në Gjilan, një nga automjetet e eskortës së Kryeministrit ka pasur një aksident komunikacioni. Nuk bëhet fjalë për veturën në të cilën gjendej Kryeministri. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga asnjëra palë e përfshirë në aksident”, ka thënë Kryeziu.
Kurti, pasditën e së dielës së 11 dhjetorit, ka vizituar njësitet speciale të Policisë së Kosovës, në kampin “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut.
Lajmin për Portali Dukagjini, e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Sot pasdite, kryeministri Kurti ka qenë në Belvedere ku ka vizituar dhe takuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës atje”, ka thënë ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
“Absolutisht e pavërtetë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Shpifjet e tilla, sipas tij, kanë për qëllim “arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit”, të cilat “duhet të largohen menjëherë”.
“Ftojmë qytetarët tanë në veri që t’i ndjekin njoftimet dhe t’u besojnë institucioneve tona dhe të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale, që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten”, shtoi Kryeziu.
Më herët, udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të informacioneve që ka, Kurti do të dërgojë të dielën mbrëma forca të armatosura, përfshirë njësinë speciale, në veri të Kosovës, “për të përndjekur popullin tonë”.
Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, disa banorë lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë qysh të shtunën pasdite.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të barrikadave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”.