Në seancën e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos që të krijohet identiteti elektronik për çdo qytetar të vendit, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin nga Ministria për Punë të Brendshme për nevojën e përpunimit të Planit për krijimin e Identitetit Nacional Elektronik për çdo qytetar, si dhe e shqyrtoi dhe miratoi Planin, së bashku me Planin e Realizimit”, sqarojnë nga Qeveria.
Krijimi i “identitetit elektronik”, sipas Qeverisë, është bazë për transformimin digjital të shoqërisë, duke mundësuar edhe shkëmbim më të lehtë të të dhënave brenda shtetit dhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar, në Këshillin Kombëtar për Transformimin Digjital të Shoqërisë u diskutua për përvojën e Estonisë dhe përpilimin e letërnjoftimit elektronik në Maqedoninë e Veriut. Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut ishte organizuar takimi i parë joformal i Këshillit Kombëtar për digjitalizim dhe e-shërbime, takim i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Sllavica Grkovska.
“Përvoja estoneze për letërnjoftimin elektronik u prezantuan në takimin e parë joformal të Këshillit Kombëtar për transformimin digjital të shoqërisë”, deklaroi Grkovska.
Në takim mori pjesë edhe ekipi i Qendrës Estoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, ekip i cili punon për digjitalizim dhe e-shërbime. Ky ekip prezantoi përvojën e Estonisë në shfrytëzimin e letërnjoftimit digjital.
“Në takim zv.kryeministrja Grkovska informoi për proceset aktuale dhe përgatitjen për futjen e letërnjoftimit elektronik, si mjet bazë që duhet të sigurojë transformimin digjital të shoqërisë. I njoftoi anëtarët e Këshillit edhe me procedurën për sjelljen e një ligji të për punën e arkivave, si dhe me aktivitetet që i ka marrë Qeveria për futjen e institucioneve në Platformën për Ndërveprim”, kishin sqaruar nga Qeveria.
Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE-së. Sfida me të cilën vazhdon të përballet Maqedonia e Veriut janë reformat në fushën e digjitalizimit, gjegjësisht progresi për të qenë në hap me zhvillimet e fundit për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve, duke u ofruar shërbime cilësore, të shpejta dhe efikase. Derisa bota dhe shtetet e perëndimit po avancohen çdo ditë e më tepër në këtë drejtim, vendi ende nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë digjitale dhe për këtë, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve.